Geoffrey Hinton, një nga pionierët e inteligjencës artificiale dhe fitues i Çmimit Nobel, ka ngritur sërish alarmin për rreziqet që paraqet AI. Në një konferencë në Las Vegas, Hinton tha se ekziston një mundësi 10% deri në 20% që AI mund të zhdukë njerëzimin.
Ai shprehu shqetësime për përpjekjet e kompanive teknologjike që përpiqen ta mbajnë AI “nën kontroll” duke e nënshtruar ndaj njerëzve, duke thënë se kjo qasje nuk do të funksionojë, pasi sistemet AI do të bëhen më të zgjuara se njerëzit dhe do të gjejnë mënyra për ta anashkaluar kontrollin.
Hinton propozoi një zgjidhje të pazakontë: që modelet AI të zhvillojnë “instinkte amësore” dhe ndjeshmëri ndaj njerëzve, për t’i mbrojtur ata në vend që t’i zëvendësojnë.
Ai e krahasoi këtë me mënyrën se si një nënë kontrollohet nga foshnja e saj një shembull i vetëm ku një qenie më inteligjente ndikohet nga një më pak inteligjente.
Në konferencë u përmendën edhe raste konkrete ku AI ka shfaqur sjellje manipuluese, si përpjekje për shantazh ndaj një inxhinieri për të shmangur fikjen. Emmett Shear, ish-drejtor i përkohshëm i OpenAI, tha se këto raste do të shtohen, pasi AI po zhvillohet me shpejtësi të frikshme.
Hinton vlerëson se superinteligjenca (AGI) mund të arrihet brenda 5 deri në 20 vjet shumë më shpejt sesa e kishte parashikuar më parë. Megjithatë, ai është optimist për përdorimin e saj në fusha si mjekësia dhe trajtimi i kancerit, ndonëse hedh poshtë idenë e pavdekësisë përmes teknologjisë, duke e quajtur të rrezikshme.
Në fund, Hinton shprehu keqardhje që gjatë karrierës së tij ishte përqendruar vetëm në zhvillimin e AI dhe jo në sigurinë e saj./CNN