Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka marrë një lajm të keq pak ditë para se të përpilojë listën për futbollistët që do të grumbullojë për ndeshjet e shtatorit. Një nga shtyllat e skuadrës kuqezi, mbrojtësi Ardian Ismajli, ka pësuar një dëmtim në kofshën e djathtë dhe do të qëndrojë për disa javë jashtë fushave të lojës.

Klubi i Torinos, pjesë e të cilit ai u bë gjatë merkatos së verës, bëri një komunikatë zyrtare për këtë dëmtim, duke njoftuar gjithashtu se kishte filluar procesi i riaftësimti të lojtarit dhe situata do të shihej javë pas jave.

Kësisoj, Ismajli do të humbasë padyshim ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Modenës, por pritet të paktën edhe ndeshjen e javës së parë në Serinë A ndaj Interit, apo edhe atë pasardhëse, për t’u kthyer vetëm pas pauzës ë Kombëtareve. Mbetet të shihet gjithsesi nëse ky dëmtim do ta pengojë apo jo të grumbullohet me kuqezinjtë për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit dhe atë të kualifikuesve të Botërorit kundër Letonisë.