Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka përgënjeshtruar deputetin e zgjedhur të PD, Klevis Balliu, i cili në një reagim në Facebook pretendonte se qeveria i ka falur 1.2 milionë euro borxhe, për kompaninë “Albarent” që drejtohet nga bashkëshortja e ministrit.

Por, ministri Gonxhja sqaron si është e vërteta shoqëruar edhe me dokumente bashkëngjitur nga Tatimet, ku vërtetojnë se shoqëria në fjalë ka paguar detyrimet 2.3 milionë Europër 15 vite dhe në dokumentin tjetër vërtetohet se detyrimet e kompanisë aktualisht janë 0.

Gonxhja thotë se kush zhvillon biznes të ndershëm përballet me mungesë likuiditeti dhe kompania e bashkëshortes së tij, është trajtuar si të gjitha bizneset e tjera, kur Tatimet marrin masa shtrënguese për të garantuar pagesën e detyrimeve dhe pas likuidimit zhbllokon llogaritë dhe titujt e pronësisë. E madje në vitin 2023, Gonxhja thotë se nuk ka qenë as pjesë e kabinetit qeveritar të Ramës, duke theksuar se kjo opozitë është kopjace portalesh që në gjykatë të mbrohen me “cituam median”.

Gonxhja thekson se shoqëria “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe asnjëherë nuk i është falur as edhe një detyrim tatimor. Ministri e sfidon Balliun që faktet t’i çojë në prokurori.

Postimi i plotë i ministrit Blendi Gonxhja

Opozitë përtace, kopjace portalesh Gushti, që në gjykatë të mbrohen me “cituam median”, palaço me kollaro, bajatë në shpifje – shkresa të cilës i referohen flet për lirim të titujve të pronësisë, por në asnjë rresht të saj nuk flitet për nivelin e detyrimit tatimor – maksimumi i detyrimeve të prapambetura, gjatë tërë aktivitetit, ka arritur 1.2 milionë Lekë! Është komikisht groteske vlera 1.2 milionë Euro që Balliu Jr. recitoi paturpësisht!

Kush zhvillon biznes të ndershëm, është gjendur përballë mungesës së likuiditetit, sidomos për parapagimet. Ka momente që nuk ke si të paguash edhe pse do. Administrata tatimore ndërmerr masat shtrënguese për garantimin e detyrimit, dhe pas likujdimit të tij, zhbllokon llogaritë dhe titujt e pronësisë, diçka rutinë, njësoj si për të gjithë.

Marrëdhënia e shoqërisë “Albarent”, e drejtuar nga bashkëshortja ime, me fiskun është korrekte. Në vitin 2023 as nuk kam qenë ministër. Në “Librin e Përgjithshëm të Llogarive” jepet se në 15 vite janë derdhur për detyrimet 2.3 milionë Euro, dhe në dokumentin tjetër detyrimet në kohe reale janë 0!

Theksoj faktin që shoqëria “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe asnjëherë nuk i është falur as edhe një detyrim tatimor, sikundër pretendon “zëri” për turp i Opozitës!

Sfidoj gënjeshtarin dhe çdo baltosës të provojë akuzat! Çdo person, ler më një Opozitë, duhet t’i çojë faktet në Prokurori, ashtu sikurse çdo informacion tatimor mbi “Albarent” mund të vërtetohet në Zyrat e Tatimeve me lejen time publike!