Nga Alba Malltezi/
Vera është futur në muajin e saj më të nxehtë dhe të ngadaltë. Çdo punë ul ritmin, veç grushtave të një lloji të stampuar shqiptari që duket se këmbëngul të qëndrojë zhurmshëm mes nesh: Fëmijët kokënxehtë të një lloji VIP-i. Kronikat nuk reshtin së raportuari nga Veriu në Jug se kanë rrahur dikë ose janë rrahur mes njëri-tjetrit. Autorët u bë vite që nuk zhgënjejnë: Djali i filanes apo i fistekut! Në fakt nuk është e vështirë të kuptohet se përse? Përse disa vajza politikanesh shoqërohen me trafikantë droge e përse djem Vipash rrihen pastaj me njëri-tjetrin për këto. Ekzibicionizmi i luksit në garë me njëri tjetrin, edhe mes djemsh borxhlinjsh dhe biznesmenësh që nuk paguajnë dot rrogat e vartësve për muaj të tërë, tregon se jemi në një shoqëri Vipash të sëmurë nga egoja e të dukurit më shumë se nga dëshira e të qenit. Të tregosh në rrjet që po bën pushimet në hotelet më luksoze në botë, në jahte sheikësh apo restorante miliarderësh Hollivudi, pa respektuar detyrimet elementare si sipëarrës: pagën e të punësuarve, s’do mend se kur vë këmbën në Dhërmi apo Tiranë, çdo gjë të rrëshket nën këmbë, edhe grushtat humbin çdo kontroll.
Bipolarizmi social ku disa jetojnë, do të ishte punë vetëm për ta, nëse ngjarjet nuk do të zhvilloheshin në publik, rrjete sociale apo lokal.
Shumë grushta u panë deri vonë në korrik. Urojmë që gushti i sapoardhur të kalojë./Shqiptarja.com