Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo u shpreh sot se do të gjobiten të gjithë ata që ndosin qytetin.
Tavo ndau disa video ku shihet qartë se qytetarë dhe pushues kanë hedhur mbeturinat në një vend ku nuk ka një kosh për mbeturinat dhe është thjesht një trotuar.
Madje, shton Tavo, “aty ka edhe një tabelë ndaluese, por përsëri mbeturinat janë lënë pikërisht pranë saj”.
Tavo nënvizon se, kjo sjellje është e papranueshme, dëmton mjedisin, shëndetin publik dhe imazhin turistik të Himarës.
“Bashkia Himarë ka nisur identifikimin e çdo individi dhe subjekti që hedh mbeturinat në vende të paautorizuara. Po vendosim gjoba ndaj tyre”, bën të ditur Tavo.
“Do të vijojmë me masa edhe më të rënda administrative për përsëritësit”, shton ai.
Tavo fton qytetarët e pushuesit të respektojnë hapësirat publike dhe të përdorin vetëm koshat dhe kontejnerët e dedikuar.
“Himara është shtëpia jonë e përbashkët dhe një destinacion turistik i rëndësishëm. Ju ftojmë të gjithë, qytetarë e pushues, të respektoni hapësirat publike dhe të përdorni vetëm koshat dhe kontejnerët e dedikuar. Asnjë tolerim ndaj atyre që ndotin qytetin dhe hapësirat publike”, theksoi Tavo./ATA