Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së Ilir Metës që të lirohet nga paraburgimi.
Gjyqtari i gatshëm, Erjon Bani, shpalli moskompetencën për të vendosur në lidhje me zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën, që ka kërkuar lirinë dhe zëvendësimin me një masë më të lehtë.
Shpallja e moskompetencës u bë pas kërkesës së avokatit Kujtim Cakrani, për shkak se Erjon Bani nuk ka qenë gjyqtari i çështjes së Ilir Metës, por në seancën e sotme ishte i gatshëm.
Pas përfundimit të seancës, avokati Cakrani shpjegoi se gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Çela është me pushime dhe për këtë arsye çështja u mor përsipër nga gjyqtari i gatshëm Erjon Bani. Avokati kërkoi që kërkesa për lirimin e Ilir Metës të shqyrtohet nga z.Çela dhe jo nga z.Bani. Për këtë arsye, ky i fundit shpalli moskompetencë dhe seanca e radhës pritet të mbahet javën e ardhshme pasi të kthehet nga pushimet gjykatësi Erjon Çela.
“Ne duam të zhvillojmë procesin të rregullt, me gjyqtarin që ka ndjekur hetimet, pse jo edhe me prokurorët që kanë hetuar këtë çështje. Jemi në pritje që javën tjetër kur do kthehet nga pushimet z.Çela do zhvillojmë seancën siç e parashikon ligji procedural. Z.Meta do të lirohet se nuk ka më asnjë arsye pse ta mbajnë në paraburgim”, deklaroi për gazetarët avokati Kujtim Cakrani.
Ish-Presidenti Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokatët Kujtim Cakrani dhe Dylejman Karaj.
Ndërsa SPAK përfaqësohej në seancë nga prokurori Alfred Shehu, i cili është gjithashtu i gatshëm këtë periudhë, duke qenë se prokurorët e çështjes Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi nuk janë të pranishëm.
Kërkesa për lirimin e Ilir Metës dhe zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” u paraqit nga avokatët e ish-Presidentit më 6 gusht, ku sipas këtyre të fundit tashmë nuk ekziston më mundësia që Ilir Meta mund të prishë provat, për shkak se hetimi është mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.
Po kështu, në kërkesën e tij për lehtësim të masës së Metës, avokati propozoi që ish-Presidentit t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.
Më 4 gusht, SPAK i komunikoi zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Ish-Presidenti u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.