Ish-Presidentit Ilir Meta iu komunikua sot në SPAK mbyllja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

Meta u paraqit në SPAK rreth orës 11:00, duke u shoqëruar nga ambientet e paraburgimit. Bashkë me të ishte edhe avokati Kujtim Cakrani.

Seanca që supozohej të ishte procedurë, zgjati rreth 3 orë.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, në përfundim të seancës, tha se prokurorët nuk sollën asgjë të re, qoftë nga hetimi për CEZ-DIA, ashtu dhe për dosjen e lobimit në SHBA.

Avokati theksoi se betejën do ta bëjnë në gjykatë me proces të zakonshëm dhe jo të shkurtuar, çka pritet të jetë një proces i gjatë gjyqësor.

“U njohëm me përfundimin e hetimeve, nuk kishte asgjë të re nga ato që jeni njohur që ë seancën e parë, atë të vlerësimit të masës. Edhe pas 6 vitesh hetime sa i përket CEZ-DIA nuk ka asnjë gjë të re nga ato që ju dini, kështu që edhe përsa i përket lobimit që është ajo për të cilën është diskutuar më gjatë edhe më shumë, nuk ka asgjë të re. Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe i ka kërkuar organit të procedurës përse nuk kanë bërë hetime të thelluara? Kush i ka bërë pagesat për lobimin? Dhe kjo ka qenë ajo që ne i kemi kërkuar si prokurorit edhe oficerit të BKH. Prokurorja nuk ka asnjë informacion kush i ka bërë pagesat, nga kanë dalë këto pagesa, në çfarë banke janë kaluar këto pagesa dhe në çfarë llogarie janë bërë këto pagesa. Kështu që ne vazhdojmë të kërkojmë kush e ka bërë lobimin dhe kush i ka bërë këto pagesa. Kjo ka qenë e gjithë arsyeja përse ne jemi zgjatur kaq shumë. Ka qenë një seancë e qetë, gati dhe miqësore. Sa i përket CEZ-DIA nuk ka pasur asgjë të re. Nuk ka fakt penal në këtë çështje.

Nuk ka fakt penal, ne duam të dimë kush është fakti penal. Ata thonë zgjidhe në gjykatë, ne në gjykatë do të shkojmë me gjykim të zakonshëm. Padyshim që nuk e ndajmë nga çështja politike. Gjithë ajo “korrupsion i madh” i CEZ-DIA është përmbledhur në 30 faqe.

Ish-Presidenti ka zero korrupsion dhe zero pasuri të arritura nga korrupsioni. Mali i madh i akuzave të ngritura ndaj z. Meta sot ka rezultuar zero”, deklaroi avokati Kujtim Cakrani.

Ilir Meta është arrestuar në 21 tetor të vitit të kaluar, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

E njëjta procedurë u ndoq edhe për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, nënën e kësaj të fundit, Fatime Kryemadhi, si dhe për dy bashkëpunëtorët e çiftit Ema Çoku dhe Piro Xhixho. Këtij të fundit, SPAK i komunikoi akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa Ema Çokut “pastrim parash”.

Ilir Metës iu komunikuan zyrtarisht akuzat në muajin maj, kur dhe u mor i pandehur.