Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë ka bërë një bilanc të punës së kryer për lirimin e hapësirave publike.

Deri tani janë liruar 53 031 m² hapësira publike të zaptuara vetëm në kryeqytet.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit bën me dije se gjatë kësaj periudhe janë bërë 1 408 çmontime, 1 167 prej të cilave janë kryer vullnetarisht nga bizneset, ndërsa 241 me ekzekutime vendimesh.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se, lirimi i hapësirave publike nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin prej muajit korrik.

Në këtë kuadër, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.