Tarifat e Trump dhe afrimi me Pakistanin e sfidojnë Nju Delhin, por i hapin edhe një mundësi të re historike

Është e pazakontë të përjetosh njëkohësisht poshtërim, shfajësim dhe një provë vendimtare. Por pikërisht kjo është situata ku ndodhet sot India. Presidenti Donald Trump ka prishur 25 vite diplomaci, duke u afruar me Pakistanin pas konfliktit të majit dhe duke e veçuar Indinë me tarifa më të larta se ndaj Kinës. Pasojat për vendin më të populluar në botë dhe ekonominë e pestë më të madhe janë të thella.

Kryeministri Narendra Modi ka shpallur së fundmi një vizion për një Indi më të fortë dhe më të vetëmbështetur. Ai pritet gjithashtu të takohet me Xi Jinping në Kinë, pas një bllokade katërvjeçare mes ushtrive në Himalaje. Për Amerikën, të largojë Indinë është një gabim i madh strategjik. Për Indinë, është një mundësi: një provë vendimtare për pretendimin e saj se është një superfuqi në formim.

Dy fytyrat e poshtërimit

Poshtërimi nga Trump shfaqet në dy forma. Më 27 gusht, pasi e akuzoi për blerjen e naftës ruse, ai vendosi një tarifë shtesë prej 25% mbi mallrat indiane, përveç 25% tarifave ekzistuese. Marrja e naftës nga Moska mund të duket problematike, por India e bën këtë përmes një mekanizmi çmimi të miratuar nga Perëndimi, më pas e rafinon dhe e shet në Europë. Ndërkohë, edhe vende të tjera, përfshi Kinën, blejnë naftë ruse. Për pasojë, masa e Trump duket si një ndëshkim i veçuar ndaj Indisë.

Poshtërimi tjetër është afrimi i tij me Pakistanin. Pas një sulmi terrorist në Indi, për të cilin Modi fajësoi Pakistanin, dy vendet zhvilluan një përplasje katërditore në maj, me mbi 100 avionë luftarakë të përfshirë dhe frikë për një përplasje bërthamore. Sot, megjithatë, Trump po shqyrton marrëveshje për kriptovaluta dhe miniera në Pakistan. Ai ka darkuar në Shtëpinë e Bardhë me gjeneralin Asim Munir, kreun e ushtrisë pakistaneze dhe sundimtarin de facto të vendit, i cili madje e ka propozuar Trump për Çmimin Nobel të Paqes. SHBA ka ofruar të ndërmjetësojë mbi Kashmiri, duke thyer politikën e saj të gjatë dhe një tabu indiane.

Krizë besimi

Mosmbështetja e SHBA në një interes themelor të sigurisë dhe vendimi për ta ndëshkuar Indinë në tregti kanë shkatërruar besimin. Që nga viti 2004, presidentët amerikanë e kanë pranuar Indinë si një fuqi demokratike në ngritje kundër dominimit të Kinës në Azi. Ekonomia e saj prej 4 trilionë dollarësh dhe tregu i aksioneve me vlerë 5 trilionë dollarë janë shumëfish më të mëdha se ato të Pakistanit, i zhytur në paqëndrueshmëri, kriza borxhi, terrorizëm dhe varësi nga Kina. Për Amerikën, ky është një autogol i madh që përkeqëson edhe neglizhencën ndaj NATO-s në Europë.

Shfajësimi i skeptikëve

Nga ana tjetër, ngjarjet e fundit i kanë dhënë të drejtë skeptikëve në Indi. Që prej pavarësisë në 1947, vendi ka shmangur lidhjet e ngushta aleate – fillimisht nën etikën e “mos-rreshtimit”, sot nën konceptin e “multi-rreshtimit”. India merr armë nga Rusia, por edhe nga Europa, Izraeli e SHBA; importon inpute prodhimi nga Kina, ndërsa Perëndimi i ofron teknologji dhe tregje.

Në vitin 2020, pas përplasjeve kufitare në Himalaje, marrëdhëniet me Kinën u ngrinë. Në Uashington pati shpresë se kjo do të sillte një afrim më të madh me SHBA. U shkëmbyen të dhëna inteligjence dhe u zhvilluan ushtrime të përbashkëta ushtarake me SHBA, Japoninë dhe Australinë, që kulmuan me një marrëveshje strategjike më 2024 për lidhje më të ngushta mbrojtjeje.

Por sot, ata që paralajmëronin se varësia nga Amerika ishte e rrezikshme ndihen të shfajësuar. Vizita e Modit në Kinë është sinjali se India ka alternativa.

Përparimet dhe dobësitë e brendshme

Prej 11 vitesh Modi ka ndjekur një vizion për forcimin e shtetit, modernizimin dhe centralizimin. Ka pasur dështime: industrializimi nuk solli mjaftueshëm vende pune, arsimi mbetet i dobët, dhe shpesh ai bie në retorikë nacionaliste hindu.

Por ka edhe suksese të prekshme: rrugë dhe aeroporte të reja, sistemet e pagesave dixhitale dhe platforma të taksave që kanë krijuar një treg të unifikuar kombëtar. Sistemi financiar është forcuar me tregje kapitale të thelluara mbi kursimet e brendshme, një bilanc tregtar të ekuilibruar dhe banka më të kujdesshme. Rritja mbi 6% pritet të vazhdojë, duke e bërë Indinë ekonominë e madhe më dinamike në botë dhe, sipas FMN, të tretën më të madhe deri më 2028.

Rreziku i kthimit mbrapsht

Rreziku qëndron te një rikthim i izolimit ekonomik dhe anti-perëndimorizmit. Në fjalimin e Pavarësisë më 15 gusht, Modi theksoi vetëmbështetjen. Por një kthim i plotë brenda do të dëmtonte rëndë sektorin e shërbimeve, i cili eksporton pothuajse sa gjithë ekonomia tjetër e kombinuar. Kompanitë indiane të teknologjisë marrin gjysmën e të ardhurave nga klientë amerikanë, përfshirë gjigantët globalë që kanë qendra zhvillimi në Indi. Vendi është tregu i dytë më i madh i OpenAI për përdorues. Për më tepër, për industrializim të shpejtë, India ka nevojë për më shumë makineri dhe inpute nga Kina.

Çfarë duhet të bëjë India

India duhet të kufizojë dëmet. Ajo mund të bëjë lëshime të arsyeshme: të ulë tarifat, të blejë më pak naftë ruse dhe më shumë gaz natyror amerikan. Lidhjet me SHBA mbeten të forta, sidomos falë diasporës së gjerë indiane. Vizita e Modit në Kinë është e drejtë: për të forcuar prodhimin, India do të ketë nevojë për më shumë tregti me Kinën në dekadën e ardhshme, por edhe për teknologjinë amerikane. Duhet të shtojë marrëveshje të reja tregtare, përveç atyre të fundit me Britaninë dhe Emiratet e Bashkuara.

Reformat e brendshme, mburoja më e mirë

Prioritet mbeten reformat e brendshme. Madhësia dhe dinamizmi janë thelbësore për të siguruar kushte më të mira në marrëveshje, për të financuar mbrojtjen dhe për të rritur mirëqenien, edhe nëse tregtia botërore ngadalësohet. Prej vitesh priten reforma madhore: modernizimi i bujqësisë, liberalizimi i tregut të tokës dhe energjisë, thjeshtimi i rregullave të biznesit dhe reforma gjyqësore.

Shumë prej tyre kërkojnë bashkëpunim mes qeverisë qendrore dhe shteteve. Pozitiv është fakti që Modi ka paralajmëruar thjeshtimin e taksës mbi mallrat dhe shërbimet dhe liberalizimin e ekonomisë, duke e quajtur “Reforma e Gjeneratës së Re”. Pas 11 vitesh në pushtet, ai duhet të ecë më shpejt dhe më thellë. Përballja me sfidat e brendshme ka qenë gjithmonë interes kombëtar. Në një botë gjithnjë e më armiqësore, kjo është edhe mbrojtja më e mirë e Indisë.

The Economist