Italia ka njoftuar hapjen e një hetimi ndaj Meta-s, pas instalimit të një mjeti inteligjence artificiale në platformën WhatsApp. Autoriteti italian i konkurrencës argumenton se kjo veprimtari mund të përbëjë shkelje të rregullave evropiane të konkurrencës, raportojnë mediat vendase.
Akuza nga Milano është: Ofruesi i Whatsapp-it, Meta, ka instaluar chatbot-in me IA pa marrë shprehimisht miratimin e përdoruesve. Përmes lidhjes së aplikacionit të inteligjencës artificiale ‘Meta AI’ me Whatsapp-in koncerni i SHBA-së i orienton klientët në drejtim të ofertave të veta, kritikon Autoriteti italian i Antitrustit. Kjo mund të pengojë konkurrencën, sepse përdoruesit janë të detyruar të instalojnë dy aplikacione të IA në aparatet e tyre, në rast se nuk duan ta përdorin ‘Meta AI’.
Një zëdhënës i Meta-s u përgjigj në një deklaratë se kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetin italian të konkurrencës dhe argumentoi se ofrimi i aksesit në veçoritë e IA-së në WhatsApp u jep miliona italianëve mundësinë të përdorin Inteligjencën Artificiale në një mjedis që ata tashmë e njohin, i besojnë dhe e kuptojnë.
Nëse akuzat nga Italia kundër Meta-s konfirmohen, kjo do të ishte një goditje e fortë ekonomike për Facebook. Në rast shkeljeje të rregullave europiane të konkurrencës kërcënojnë gjoba me deri në dhjetë për qind të xhiros vjetore mbarëbotërore.