Në Pogradec u çel ekspozita e piktorit të njohur beratas Agron Polovina, një nga emrat më të spikatur të pikturës bashkëkohore, shkruan euronews.

Si artist me stil unik, Polovina ndërthur impresionizmin me ngjyrat ekspresive të modernizmit, duke sjellë në telajo peizazhe, portrete dhe skena nga jeta rurale shqiptare.

Punimet e përzgjedhura për këtë ekspozitë pasqyrojnë pjekurinë e tij artistike dhe dashurinë për Pogradecin.

Veprat e Polovinës dallohen për ngjyrat e forta, kontrastet e theksuara dhe penelatat që japin ndjesinë e lëvizjes.

Për të pranishmit ekspozita, shfaq interes të madh, pasi promovon artin shqiptar dhe të afron publikun me krijimtarinë origjinale të autorit

Me stilin e tij të veçantë dhe mesazhin artistik që përcjell, Agron Polovina konfirmon edhe një herë se mbetet një prej zërave më origjinalë të artit pamor shqiptar.

Ekspozita e tij në Pogradec nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një ftesë për të reflektuar mbi bukuritë e Shqipërisë.