Në ditën e 41-vjetorit të tij, Giorgio Chiellini ka dhënë një intervistë të gjatë për “Vivo Azzurro TV”, ku ka rrëfyer etapat kryesore të karrierës: “Jam njeri me fat, siç këndonte Jovanotti në një nga këngët e mia të preferuara”.
Më pas foli për fillimet e tij si futbollist, te moshat e reja të Livornos: “Pasioni për futbollin lindi që kur isha fëmijë. Në të njëjtën kohë, duke ndjekur vlerat që më transmetuan prindërit e mi, prioritet tjetër ka qenë shkolla, të cilën nuk e lashë kurrë pas dore. Duhet të them se kur u diplomova në Ekonomi dhe Tregti, gëzimi që ndjemë në familje ishte thuajse i njëjtë me atë që përjetohet në një sukses të madh sportiv. Kam luajtur praktikisht në të gjitha kombëtaret e moshave, duke ndjekur një rrugë formuese të rëndësishme. Që i ri më dukej ëndërr ta vishja fanellën e U-15 ose U-16”.
Pjesën më të rëndësishme të karrierës e lidhi me bardhezinjtë: “Juve për mua është si një familje e dytë, Torino është bërë qyteti im. Këtij klubi i kam dhënë shumë, kam sakrifikuar pjesërisht jetën private, por jam shpërblyer me suksese të jashtëzakonshme sportive dhe dashurinë e miliona tifozëve”.
Sulmuesi më i vështirë për t’u përballur? Chiellini nuk ka dyshime: “Zlatan Ibrahimović, me të cilin kam luajtur bashkë kur erdhi në Itali. Një personalitet i madh. Shoku i skuadrës që më ka mësuar më shumë ka qenë Cristiano Ronaldo”.
Chiellini kujtoi edhe ndryshimet e tij si person: “Kur kthehem pas, mendoj për disa gabime rinie, për disa sjellje impulsive në fillim të karrierës. Ikona e ‘luftëtarit’ është pjesë e imazhit tim, por atëherë ishte sikur kisha nevojë për një armik. Kam punuar mbi këtë aspekt, ishin vetëm energji të shpërdoruara. Shtoj se lindja e vajzës sime të parë ndihmoi në këtë proces pjekurie”.
Për kombëtaren nuk e fsheh zhgënjimin: “Botërorët nuk më kanë ecur mirë. Në dy edicionet ku mora pjesë, 2010 dhe 2014, nuk e kaluam fazën e grupeve. Në dy edicionet pasuese as u kualifikuam fare. Më 2017, kur humbëm ‘play off’-in me Suedinë, nuk fjeta për disa netë”.
Triumfi në Europian shleu gjithçka: “Prej asaj eksperience ruaj kujtime të paharrueshme. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme, e ndarë me të gjithë shokët e skuadrës. ‘BBC’-ja, Barzagli-Bonucci-Chiellini, është një sigël që kujtohet edhe sot. A ishte mbrojtja më e fortë në historinë e Italisë? Jo, edhe pse nuk ka dyshim se, me miqtë e mi Andrea dhe Leo, duke shtuar Buffon, kemi shënuar një epokë të futbollit italian. Megjithatë, kur mendoj për Baresi, Maldini, Nesta, Cannavaro… Nuk e konsideroj veten më të mirë se ata. Duke parë sot, them se, për shembull, Bastoni është shumë i fortë. Pastaj janë Calafiori, Buongiorno, të cilët është e drejtë të ndjekin rrugëtimin e tyre pa shumë presione”.
Në fund, një shpresë për Botërorin e ardhshëm: “Them që djemtë tanë duhet të kualifikohen për t’ia dhënë këtë gëzim fëmijëve që ende nuk e kanë parë Italinë të marrë pjesë në Botëror. Ëndërroj një finale mes Italisë dhe Brazilit të drejtuar nga Ancelotti, me të cilin më vjen keq që nuk kam punuar kurrë. Do të ishte një ndeshje historike”.