Juventusi dhe Reggiana barazuan 2-2 në një test miqësor të zhvilluar në kompleksin stërvitor të bardhezinjve në Torino. “Zonja e Vjetër” nuk u pa në lartësinë e duhur, një “sinjal alarmi” ky për trajnerin Igor Tudor dhe stafin.
Ndeshja nisi me një gabim në prapavijën e bardhezinjve, me miqtë që përfituan dhe kaluan në epëri me Girma pas 22 minutave lojë. Reagimi i Juves ishte i menjëhershëm dhe Conceicao barazoi me një të majtë të saktë nga jashtë zone, kjo pas asistit të David.
Pjesa e dytë nisi me 11 zëvendësime për Tudor, teksa Juve në fushë u pa më kërkuese. Vetëm dy minuta nga nisja e fraksionit të dytë, Vlahovic shtyu në rrjetë një top të mbetur në zonë, për epërsinë e Juves. Megjithë kontrollin e lojës, Juve nuk mundi të shënonte golin e tretë duke gjetur traun e portës.
Në minutën e 72-të, Vallarelli pasoi për Gondo Cedric dhe ky i fundit shënoi bukur me kokë për 2-2. Një nisje jo e mirë e miqësoreve për Juven, që do niset në Gjermani ku do vijojë fazën përgatitore dhe do ketë një test miqësor me Dortmundin.