Juventusi ka zgjidhur një nga telashet e merkatos gjatë ditës së sotme. Bardhezinjtë kanë gjetur akordin me Olimpik Marsejën për transferimin e Timoti Ueah, i cili i ishte “premtuar” prej kohësh francezëve.

Anësori amerikan kërkonte me çdo kusht që të transferohej nën urdhrat e De Zerbit në Francë, sidomos pasi u bë e qartë se nuk ishte pjesë e planeve të Igor Tudor. Por oferta e francezëve nuk kënaqte Juventusin, me Damien Komolin që u detyrua pak ditë më parë që të paralajmëronte publikisht lojtarin që të mos bënte më deklarata rreth kësaj teme.

Por në fund akordi është gjetur dhe mediat italiane bëjnë të ditur se futbollisti do të transferohet për një shifër prej rreth 18 milionë eurosh, mes pjesës fikse dhe bonuseve të ndryshme. Ueah kishte udhëtuar me ekipin drejt Gjermanisë për fazën përgatitore atje, por që sot në darkë do të shkojë në Francë për vizitat mjekësore dhe firmën në kontratën me klubin e ri.