Një shtetas shqiptar, 45 vjeç, është arrestuar nga policia italiane në Romë, pasi u kap në momentin që po përpiqej të kryente një vjedhje në një restorant në zonën ‘Casal de’ Pazzi’. Ngjarja ndodhi pasi alarmi i lokalit, i lidhur me sistemin e sigurisë së policisë, u aktivizua dhe njoftoi menjëherë forcat e rendit.
Kur oficerët mbërritën në vendngjarje, konstatuan një person brenda ambientit që po tentonte të hapte arkën për të marrë paratë. Ai kishte hyrë nga dera e pasme, të cilën e kishte dëmtuar për të siguruar akses. Pranë hyrjes, u gjet edhe një karrocë dore e mbushur me shishe vere dhe pije të tjera alkoolike, që dyshohet se ishin përgatitur për t’u vjedhur.
I dyshuari tentoi të largohej me vrap, por u ndalua pas një ndjekjeje të shkurtër. Ai u arrestua nën akuzën e vjedhjes së rëndë dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, pasi masa e arrestit u konfirmua nga gjyqtari i hetimeve paraprake, me kërkesë të prokurorisë.