Një shtetas shqiptar 36-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga karabinierët e Peruxhias, si i dyshuar për përfshirje në një rrjet të trafikut të drogës në Itali. Ngjarja ka ndodhur në zonën e San Sistos, gjatë një patrullimi rutinë, kur forcat e rendit i kanë kërkuar ndalimin për kontroll.
Sipas mediave italiane, i dyshuari ka tentuar të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke shkaktuar një ndjekje të menjëhershme, por është kapur dhe neutralizuar nga efektivët. Gjatë arrestimit, ai ka kundërshtuar dhe sulmuar forcat e rendit, për çka ndaj tij rëndojnë gjithashtu akuzat për sulm ndaj një zyrtari publik dhe shkelje të urdhrit për ndalim hyrjeje në territorin italian.
Kontrolli i mjetit që drejtonte zbuloi 12 pako me kokainë, me një peshë totale prej 8.4 gramësh, të fshehura në një zgavër të ndarjes së pasagjerëve. Materialet i janë referuar autoriteteve përkatëse, ndërsa hetimet për rrjetin e trafikut të drogës vijojnë.