Gjyqtari i posaçëm Erjon Çela ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Ilir Metës, duke e lënë në fuqi “arrestin në burg”.

Ish-Presidenti do të vijojë të qëndrojë në paraburgim dhe pse hetimi ndaj tij është mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.

Ish-Presidenti Ilir Meta kishte kërkuar të lirohej nga qelia me argumentin që tashmë nuk ka më rrezik për prishje provash pasi hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.

Më 4 gusht, SPAK i komunikoi zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë.

Ish-presidenti akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Ai u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.