“Një dialog mes presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe presidentit rus mund të jetë i rëndësishëm për negociatat e tyre bilaterale, por ata nuk mund të vendosin asgjë për Ukrainën pa ne. Besoj dhe shpresoj që presidenti i Shteteve të Bashkuara ta ketë kuptuar këtë”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përpiqet sërish të përfshihet në samitin në Alaskë mes kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe atij të Kremlinit, ndërsa po zbehen gjithnjë e më shumë shpresat për ndonjë rreze paqeje.

Në pritje të asaj që vetë Shtëpia e Bardhë e përkufizon si “një ushtrim dëgjimi” dhe që për Kievin është një “fitore personale” e Putinit, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dje ka folur me sekretarin e Shtetit Marco Rubio, ndërsa sot Trump do të zhvillojë një takim virtual, i promovuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, me Zelenskyn, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian António Costa, sekretarin e NATO-s Mark Rutte dhe liderët evropianë, mes tyre edhe kryeministren italiane Giorgia Meloni. Më herët, liderët evropianë do të takohen sërish me presidentin amerikan dhe atë ukrainas për të vlerësuar çfarë ka dalë nga biseda mes dy presidentëve.

Pikërisht anëtarësimi në Bashkimin Evropian, sipas të dhënave jozyrtare, do të ishte “përfitimi” që manjati do t’i propozonte Zelenskyt në këmbim të dorëzimit të disa territoreve. Një mundësi që, megjithatë, nuk duket se merr parasysh një problem: hyrjes së Ukrainës në BE i vendosin veton kryeministri hungarez Viktor Orbán (shumë afër pozicioneve të Putinit) dhe lideri sllovak Robert Fico. Dy vota vendimtare, pasi të 27 duhet të shprehen me unanimitet.

Dhe nëse negociatat për paqen në Ukrainë nisin padyshim në një terren të vështirë dhe nuk dihet sa mund të ndikojë BE-ja dhe sa presidenti amerikan do të dëshirojë ta dëgjojë atë, pavarësisht zërave për një të mundshëm shkëmbim territoresh mes palëve, nga Kievi Zelensky bën të ditur se “Ukraina nuk do të tërhiqet nga Donbasi, sepse lëshimet ndaj Rusisë pa garanci sigurie do t’i hapin rrugën agresioneve të reja dhe rrezikut të një lufte të tretë”.

Dhe është pikërisht në rajonin e Donetskut, në të njëjtin oblast ku Kievi, në sektorët e Dobropillias dhe Pokrovskut, po e vuan avancimin e Ushtrisë ruse. Këtu, në hyrje të nyjës logjistike të Donbasit, Moska ka vendosur mbi 110 mijë ushtarë që prej ditësh përpiqen të depërtojnë në mbrojtjen ukrainase duke dërguar njësi të vogla këmbësorie mes vijave të frontit, siç raportoi në terren Corriere tre javë më parë. Në orët e fundit, forcat ruse kanë arritur të avancojnë me 10 kilometra drejt rrugës Dobropillia-Kramatorsk, e cila deri në mesin e korrikut përdorej rregullisht nga trafiku civil dhe ushtarak, duke shtrënguar rrethimin rreth Pokrovskut. Këtë e konfirmon për Corriere edhe ish-shefi i batalionit Azov, Bogdan Krotevyc, i cili thotë: “Armiku po avancon në drejtim të Kramatorskut dhe Druzhkivkës”, ndërsa në X analisti ukrainas Tatarigami madje kërkon shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm Oleksander Syrsky për atë që konsiderohet një dështim i shkaktuar nga komunikimet e dobëta mes brigadave dhe një rotacion i keqorganizuar për shkak të mungesës së trupave. Dhe ndërsa analistët shpresojnë që inkursionet ruse të mos çojnë në kolapsin e frontit në një moment kaq delikat diplomatik, vetë presidenti Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes paralajmëron: “Besojmë se rusët po përgatiten për një operacion ofensive në tre drejtime. Kryesoret janë Zaporizhia, Pokrovsk dhe Novopavlivka”. Një panoramë që, nga Donbasi në Alaskë, po bëhet gjithnjë e më e zymtë për Ukrainën. Dhe për mbarë Evropën./Corriere della sera