Në provincën Guangdong të Kinës janë raportuar mbi 7,000 raste të virusit chikungunya, një sëmundje e përhapur nga pickimi i mushkonjave, e cila shkakton ethe dhe dhimbje të forta kyçesh.

Qyteti Foshan, më i prekur nga shpërthimi, ka vendosur masa të rrepta, përfshirë qëndrimin në spital deri në shërim dhe përdorimin e rrjetave mbrojtëse kundër mushkonjave.

Edhe pse rastet janë të lehta dhe jo ngjitëse nga njeriu te njeriu, autoritetet po zbatojnë masa të krahasueshme me ato të pandemisë së Covid-19. Janë raportuar raste edhe në 12 qytete të tjera, si dhe një në Hong Kong.

Për të frenuar përhapjen, autoritetet kanë lëshuar peshq që hanë larvat, kanë përdorur dronë dhe kanë vendosur gjoba të larta për ata që nuk largojnë ujin e ndenjur. Popullsia po inkurajohet të vizitojë spitalet nëse shfaq simptoma, ndërsa disa qytete kanë urdhëruar karantinë për udhëtarët nga zonat e prekura.

Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë reaguar me shqetësim dhe dyshim ndaj masave, duke i krahasuar me kohën e pandemisë. Virusi nuk ka kurë, por vdekjet janë të rralla dhe shumica e pacientëve shërohen brenda një jave. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se mënyra më efektive për parandalim është reduktimi i ambienteve ku shumohen mushkonjat.