Pas 133 vitesh histori, klubi legjendar holandez Vitesse ka mbyllur zyrtarisht kapitullin e tij në futbollin profesionist. Gjykata civile në Utrecht ka refuzuar apelimin e klubit, duke konfirmuar vendimin e Federatës së Futbollit të Holandës (KNVB) për të revokuar përgjithmonë licencën profesionale të skuadrës nga Arnhem.

Pavarësisht përpjekjeve të fundit të drejtuesve të klubit për të bindur gjykatën mbi një strukturë të re pronësie dhe garanci të reja financiare, apeli u hodh poshtë. Gjykata argumentoi se federata ka vepruar në mënyrë të arsyeshme dhe brenda kompetencave të saj ligjore.

Ky vendim i prerë vjen pas muajsh trazirash dhe pasigurish, duke vulosur zyrtarisht fundin e Vitesse si një entitet profesionist në futbollin holandez.
Rënia e Vitesse nuk ishte një surprizë për komunitetin sportiv. Prej vitesh, klubi ishte nën vëzhgimin e autoriteteve për shkelje të përsëritura financiare dhe administrative. Sipas Komisionit të Licencimit të KNVB-së, Vitesse kishte ndjekur një “model shumëvjeçar mashtrimi, shmangieje dhe sabotimi”, duke dështuar në mënyrë të vazhdueshme të dorëzonte dokumentacionin financiar sipas rregulloreve të federatës.

Këto shkelje sollën ndëshkime historike, zbritje prej 18 pikësh në një sezon dhe 39 pikë të tjera sezonin pasues, që çuan në rënien e klubit në divizionin e dytë dhe më pas në vendin e fundit të renditjes.

Me fshirjen e Vitesse nga futbolli profesionist, Holanda humb një nga emrat më të vjetër dhe me traditë në historinë e saj futbollistike. Klubi, i themeluar në vitin 1892, ka qenë për dekada pjesë e elitës së futbollit holandez dhe ka prodhuar emra të shumtë të njohur në skenën ndërkombëtare.

Ndërsa fansat në Arnhem përjetojnë një nga momentet më të errëta në historinë e klubit, e ardhmja e Vitesse mbetet e paqartë, me mundësinë që të rifillojë nga nivelet amatore apo të kërkojë rikthimin në skenën profesionale në të ardhmen, nëse do të jetë e mundur.

I huazuar nga Chelsea në sezonin 2020-21, pjesë e Vitesse ishte edhe Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares që ra në sy për paraqitjet dhe 11 golat me fanellën verdhezi.