Arianna, e rikthyer nga SHBA, në moshën 29-vjeçare vendosi të bëhet nënë kujdestare e dy fëmijëve nga shtëpia e fëmijës në Korçë.

Së bashku me bashkëshortin, Tomas, ata hapën jo vetëm shtëpinë, por edhe zemrën e tyre. Kjo histori është dëshmi e fuqisë së dashurisë dhe kujdesit familjar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu teksa ndau këtë rast në rrjetet sociale theksoi se, “po punojmë për një kuadër të ri ligjor, të përafruar me standartet e BE-së dhe Konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve, për të forcuar më tej sistemin e kujdesit alternativ dhe për të reformuar institucionet rezidenciale të përkujdesit në shërbime me qendër familjen”.

“Synimi ynë është që çdo fëmijë të rritet në një familje, me dashuri, siguri dhe mundësi për një të ardhme më të mirë”, nënvizoi Koçiu.

“Unë quhem Ariana, jam 29 vjeç dhe kam qenë prind kujdestar prej 7 muajsh. Kam kujdestari për dy fëmijë. Unë në fakt e kam kërkuar vetë në bashki për këtë lloj programi”, tha Arianna.

“Një nga shërbimet që Shërbimet Mbështetjes për Fëmijët dhe Familjen ofron, është dhe identifikimi dhe fuqizimi i familjeve kujdestare.

Pas një fushatës që sensibilizuar se që ne kemi realizuar në qytetin e Korçës, na është ofruar familja e Tomit dhe Ariannës”, tha Mamica Shishi, Koordinatore e Qendrës së Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen

“Çdo fëmijë meriton dashuri, siguri, një vend që ta quaj shtëpi. Bëhu ti ndryshimi në jetën e një fëmije, sepse dashuria ndërton familje”, u shpreh Marjana Jorgji, Drejtuese e Shërbimeve Sociale.