Prishtina u shndërrua në kryeqendrën e muzikës botërore mbrëmjen e së premtes. Ylli me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, dhuroi një performancë të jashtëzakonshme në hapjen e edicionit të pestë të festivalit “Sunny Hill”. Dua interpretoi këngë nga albumi i saj më i fundit Radical Optimism, si dhe disa nga hitet më të mëdha të dy albumeve të saj të para.

Performanca e saj u shoqërua me koreografi dhe një skenografi moderne që krijuan një përvojë vizuale dhe muzikore të paharrueshme për publikun. Gjatë interpretimit, Dua u shfaq me 3 veshje të ndryshme skenike.

Por momenti më i veçantë i mbrëmjes ishte performanca e Duas me babanë e saj, Dukagjin Lipën, me këngën shqip “Era”, të grupit ‘Gjurmët’.

Gjurmët, të formuar në vitin 1981 në Prishtinë, janë ndër grupet më emblemë të rock-ut shqiptar, me vokalistin Migjen Kelmendi. Performanca kishte edhe një simbolikë tjetër, kthimi në muzikë i Dukagjin Lipës, dikur solist i grupit “ODA”, aktiv në vitet ‘90.

Por, nuk mjaftoi vetëm kjo performancë. Dua Lipa iu drejtua turmës në gjuhën shqipe, duke iu thënë se Kosova ka lezet gjithmonë, dhe duke i falënderuar të gjithë të pranishmit.

Përpos Duas, skenën e elektrizuan edhe Fat Boy Slim, Edis, Tayna, Kida, Siena Spiro, e shumë artistë të tjerë. Festivali, i cili do të vijë edhe sonte dhe nesër është organizuar nga babai i saj, Dukagjin Lipa dhe është një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon. “Sunny Hill Festival” në dy netët e ardhshme do të vijojë me emra të tjerë të njohur të muzikës ndërkombëtare dhe shqiptare, duke e vendosur Prishtinën në hartën e festivaleve më të rëndësishme të Evropës Juglindore.