Merkatoja për Kristjan Asllanin ka marrë një kthesë të papritur. Torino është rikthyer fuqishëm në garë për mesfushorin shqiptar, pasi bisedimet me Bolognën kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kushtet e kontratës dhe rrogën e lojtarit. Mesfushori donte një pagë prej 2 milionë eurosh në sezon, por Bologna mund të ofronte deri në 1.7 mln. Megjithëse Bologna dhe Inter kishin gjetur marrëveshjen, ka qenë Asllani që nuk ka pranuar kalimin.
Mediet tej Adriatikut bëjnë me dije se agjencia që menaxhon Asllanin ka terren më të favorshëm në Torino, duke qenë se aty ndodhen edhe dy të përfaqësuar të saj, mbrojtësi shqiptar Ardian Ismajli dhe trajneri Paolo Baroni. Ky faktor pritet ta thjeshtojë arritjen e akordit.
Interi dëshiron 17 milionë euro për Asllanin, por kishte rënë dakord me Bolognan për 9 milionë euro dhe pronësinë e 40 përqind të kartonit të shqiptarit në rast rishitje nga emilianët. Me Asllanin që refuzoi një tjetër klub (pas Betis), duket se Torino mund të afrojë djaloshin e kombëtares shqiptare. Kujtojmë se Interi i ka kërkuar Asllanit që të gjejë një tjetër ekip, duke mos e parë si pjesë të ekipit.
Orët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e 23-vjeçarit, i cili kërkon garanci për minutazh dhe një projekt ambicioz. Torino duket se është gati t’i ofrojë të dyja.