Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Karim Khan, po përballet me dy akuza publike nga dy gra për ngacmime seksuale.

Akuza e parë është bërë nga një juriste e stafit të Gjykatës së Hagës, që punonte drejtpërdrejt me kryeprokurorin gjatë periudhës 2023–2024.

Ndërsa akuza e dytë publike është bërë së fundmi nga një tjetër grua pas publikimit të denoncimit të parë. Gruaja e dytë ka pretenduar se kryeprokurori i Hagës ka ushtruar sjellje të papërshtatshme seksuale gjatë periudhës që ajo punonte për të.

Bëhet fjalë për vitin 2009, kur gruaja ishte e moshës rreth të 20-ave dhe punonte si praktikante pa pagesë për kryeprokurorin Khan. Ajo thotë se ai ka abuzuar me pozitën e tij, duke ushtruar presion të përsëritur për marrëdhënie seksuale, si dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme për t’i bërë ngacmime fizike dhe verbale. Ajo e përshkroi sjelljen e tij si një “sulm të pandërprerë”.

Të dyja gratë, në akuzat e tyre për ngacmim seksual, tregojnë ngjashmëri të theksuara në përshkrimin e sjelljes së Khan, duke përfshirë ftesat për të punuar në shtëpinë e tij, ku më pas ai do të ulej pranë tyre, do t’i prekte, do t’i puthte dhe do të përpiqej t’i bindte të shtriheshin me të.

“The Guardian” ka mësuar se ka nisur një hetim nga OKB për të verifikuar këto akuza të bëra publike për ngacmim seksual.

Nga ana tjetër, kryeprokurori i Hagës, Karim Khan, ka mohuar çdo sjellje të papërshtatshme apo ngacmim seksual. Ndërkohë, ai është tërhequr përkohësisht nga detyra si drejtues i divizionit të akuzës në Gjykatën e Hagës deri në përfundimin e hetimeve.

“Është krejtësisht e pavërtetë që ai ka kryer ndonjë formë ngacmimi apo sjelljeje seksuale të papërshtatshme”, thonë avokatët e Khan.

Karim Khan, 55 vjeç, u zgjodh në vitin 2021 për një mandat 9-vjeçar si kryeprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Ai është figura kryesore publike e gjykatës që merret me hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

Gjatë mandatit të tij, ai ka ngritur profilet më të larta të gjykatës duke lëshuar urdhër-arreste kundër liderëve si Presidenti rus Vladimir Putin dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Avokatët e kryeprokurorit Khan kanë sugjeruar se pretendimet për ngacmime seksuale mund të jenë pjesë e një fushate të koordinuar nga aktorë të jashtëm që kërkojnë të diskreditojnë punën e tij, veçanërisht pas hetimeve të ndjeshme që ka hapur kundër zyrtarëve të lartë izraelitë.