Nga Alba Malltezi/

Në ngjarjet e kësaj vere kuajt tanë po na sjellin në vëmendje aspekte alarmante: Se dikush mes nesh i qëllon e i vret pa mëshirë ndërsa shuajnë etjen dhe se, në Delvinë, pafuqia jonë për t’i ardhur në ndihmë nga zjarret, i përcëllon.

Kushedi pse kuajt tanë u bënë padashur protagonistë tragjikë të kësaj vere. Kushedi se çfarë duan të na komunikojnë me sakrificën e tyre? Mos vallë ulërasin me dhimbjen që përcjellin se po humbim vlera njerëzore që kuajt simbolizojnë? Për shembull fisnikërinë? Besnikërinë? Forcën? Guximin? Punën? Rezistencën? Shpejtësinë? Lirinë?Pavarësinë? Çfarë tjetër? A janë këto disa aspekte simbolike të cilëve ua kemi njohur përherë?

Në mitologji shfaqen si një lidhje mes njerëzores, shpirtit e hyjnores. Tek ne i qëllojnë, i lidhin me litarë në fyt që të mos kenë nga të ikin edhe kur bie një zjarr. Si këto pamje të këtij kali në Delvinë: me trupin e përcëlluar, litarin në fyt, e që shtrëngon me dhëmbë një shishe plastike… për pak ujë!

Çfarë po ndodh me ne dhe me kuajt tanë? Çfarë duan të na thonë?