Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se gjatë periudhës janar-qershor Shqipërinë e kanë vizituar 13% më shumë turistë italianë krahasuar me një vit më parë.
Në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve “Nova”, Kumbaro bëri të ditur se vitin e kaluar Shqipërinë e shijuan 1,2 milionë vizitorë nga Italia.
Kumbaro nënvizoi se “me Italinë tani na bashkojnë edhe përpjekjet për krijimin e një harte turistike në Mesdhe, mes gadishullit apenin dhe vendeve të Ballkanit”.
“Shembulli i Shqipërisë në krijimin e një modeli autentik, cilësor e të qëndrueshëm të turizmit pati interes të veçantë gjatë Forumit “Bridging Destinations”, por edhe vëmendjen e medieve të Italisë”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Mediet italiane kanë promovuar në vijimësi Shqipërinë turistike, duke e cilësuar si “Maldivet e Europës”.