Nga Endri Kajsiu/
Dje ishte një ditë e turpshme për median dhe gazetarinë shqiptare. Si gazetar, u ndjeva i turpëruar nga vala e artikujve sulmues që përdorën origjinën krahinore si armë për diskreditim publik. Një mënyrë primitive sulmi, ku nuk shënjestrohet ideja, por tabela e qitjes i varet personit.
Disa media alarmohen për një draft ligjor që, sipas tyre, cenon lirinë e shprehjes, megjithatë heshtin kur përdoret gjuhë linçuese, diskriminuese, bullizuese, përçmuese, raciste ndaj figurave kyçe të drejtësisë shqiptare, si Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe drejtuesit të SPAK, AltIn Dumani. Dhe kjo vetëm sepse janë nga Dibra!
Kjo nuk është hera e parë që përkatësia krahinore shndërrohet në etiketë për përjashtim dhe përçmim. Por kur kjo ndodh ndaj drejtuesve të institucioneve që kanë mbrojtur parimet e shtetit të së drejtës, rreziku nuk është më vetëm personal. Është institucional.
Nuk ka më rëndësi profesionalizmi, integriteti apo rezultatet. Mjafton një stereotip primitiv dhe loja e baltës nis. Në vend të një debati për drejtësinë, shfaqet tymnaja e racizmit krahinor. Kjo nuk është kritikë. Është një strategji për delegjitimim.
Por, edhe më shqetësuese është heshtja. Heshtja e atyre që zakonisht predikojnë për etikë dhe liri fjale. Kur përçmimi vjen përmes origjinës, ata heshtin. Dhe në këtë heshtje, racizmi gjen terrenin për t’u kthyer në standard.
Por kjo nuk është vetëm një çështje morali publik. Është një betejë për kontroll mbi drejtësinë. Sepse nuk po kritikohen për dështimet – po të kishin dështuar, do të mjaftonte kritika. Po sulmohen sepse nuk janë të kapur. Sepse nuk bëjnë kompromis me presionin. Sepse janë aty ku duhej të ishte drejtësia – në krah të ligjit dhe të shtetit.
Në këtë lojë të pistë, vendlindja përdoret si pretekst për të shembur autoritetin institucional. Dikush del “i padenjë” vetëm për vendin nga vjen. Kjo nuk është vetëm fyerje ndaj individëve. Është një fyerje ndaj vetë Republikës.
Prandaj duhet folur. Jo për të mbrojtur një krahinë, por për të mbrojtur një parim: askush të mos gjykohet për prejardhjen, por për veprat. Të mos lejojmë që urrejtja të zëvendësojë ligjin. Të mos lejojmë që racizmi të bëhet normë.
Sepse kush sulmon prejardhjen për të fshehur frikën nga drejtësia, nuk lufton më për të vërtetën. Lufton kundër vetë shtetit ligjor.