Partia Demokratike çon në parlament deputetin më të vjetër të legjislaturës së XI: kryetarin e saj Sali Berishën. Si i tillë, kryedemokrati ka një favor që ia dhuron mosha, të çelë seancën e parë që parlamenti e mban në shtator.
Por, Berisha e refuzon këtë privilegj duke thënë se nuk mund të drejtojë një parlament ilegjitim.
“Një parlament jo legjitim, nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Nuk mund ti bëj vendit tim unë një antishërbim të tillë. Harroje? Si mund të ja lejoj vetes të ulem unë aty? Kurrë…”, tha Berisha.
Pa shumë ndryshime shkon edhe në grupin parlamentar, duke konfirmuar Gazment Bardhin kryetar të deputetëve.
“Riorganizimi do të jetë në vazhdim, PD do i ketë në vazhdim proceset. I përcakton grupi dhe strukturat. Unë nuk prononcohem, por kam vlerësim pozitiv për detyrën që ai ka kryer si kryetar grupi. Por ne funksionet i bëjmë në mënyrë demokratike dhe ka rregulla aty, do jetë grupi që do e përcaktojë dhe vendosë. Unë e respektoj detyrën që ai ka kryer”, u shpreh kreu i PD.
Në ndarjen e re në parlament, Berisha do t’i japë hua deputetë Partisë së Lirisë dhe Fatmir Mediut në mënyrë që ata të formojnë grupe parlamentare. Kreu i PD këtë nuk e quan një favor, por detyrim ndaj aleatëve që u bashkuan në koalicion.
“Koalicioni është bërë mbi bazën e rekordeve elektorale. Nuk di teknikë tjetër më të ndershme e të drejtë se rekordi elektoral. Nuk di ndonjë tjetër, përdndryshe mos bëj koalicione”, tha ai.
Vëmendjen Berisha këtë të martë e ndali edhe te zhvillimet në kampin kundërshtar. Qeveria e re që pritet të zbulohet nga kryesocialisti Edi Rama Berisha thotë se do të jetë jo-legjitime, pavarësisht emrave që Rama mund t’i besojë si ministrat e rinj.
“Nuk është çështje emrash, por legjitimiteti. A ka Rama legjitimitet që të bëjë qeveri me farsë elektorale? Unë them kurrë, kurrë s’ka legjitimitet. Sepse mazhoranca e Ramës përfaqëson Ramën, ointeresat e tij, kartelet e drogës, këto zgjedhje ishin farsë e vërtetë elektorale”, vijoi ai.
Ai akuzoi se në qeverinë e re, Rama nuk do të përfaqësojë interesin qytetar, por atë të karteleve të drogës.