Përshtatur në shqip, artikull i Corriere Della Sera
Ai e quan “diplomaci në hije” dhe lejon që errësira të shtrihet edhe mbi figurën e tij, deri në atë pikë sa që të krijojë përshtypjen se është (dhe me siguri ka qenë) një spiun. Sepse paqartësia funksionon me klientët e autokracisë globale, shpesh diktatorë afrikanë, apo edhe me juntën ushtarake në Mianmar të cilët kërkojnë shërbimet e Ari Ben-Menashe, i cili premton kontakte me të fuqishmit e Perëndimit, hapje të dyerve të mbyllura nga sanksionet, nëse jo një ftesë në qarqet elitare, të paktën një takim diskret në një dhomë pranë.
I lindur në Iran nga një familje çifutësh irakianë, me një të kaluar në inteligjencën ushtarake izraelite, Ben-Menashe jeton në Kanada dhe prej aty përpiqet të ushtrojë ndikim mbi qeveritë që ende e dëgjojnë.
Ai vepron si lobist i regjistruar zyrtarisht në SHBA, edhe pse amerikanët mbeten dyshues për shkak të përfshirjes së tij të pjesshme në skandalin Iran-Contra dhe teorive të konspiracionit përreth Jeffrey Epstein, të cilat Ben-Menashe nuk ngurron t’i përmendë publikisht.
Tani, sipas organizatës “Shorim” (Gardianët), ai është promovuesi i një operacioni për të nxjerrë në pah një sipërmarrës palestinez nga balta burokratike e Autoritetit Palestinez dhe për ta promovuar si kandidat për të qeverisur Gazën pas përfundimit të një lufte që duket sikur s’ka fund.
Samir Hulileh përfaqëson figurën teknike që mund të jetë e pranueshme si për qeverinë e Benjamin Netanyahu-t, ashtu edhe për Shtëpinë e Bardhë.
Si ekonomist dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë më të madhe palestineze të investimeve, Hulileh ka mbajtur disa role politike, por jo aq të dukshme sa që Netanyahu ta konsiderojë atë si një përfaqësues të Autoritetit Palestinez, të cilin ai e refuzon qartësisht si qeveri të ardhshme të Gazës, së bashku me Presidentin Abu Mazen.