Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja tragjike në fshatin Kullollas të bashkisë Gramsh, ku një person humbi jetën dhe disa zona u përfshinë nga flakët.

Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve është konfirmuar nga organet ligjzbatuese se ngjarja e rëndë e ditës së sotme në Gramsh, ka ardhur si pasojë e veprimit të pakujdesshëm të një banori të fshatit Kullollas.

Hetimet paraprake sugjerojnë se vetë viktima kishte ndezur zjarr në oborrin e shtëpisë së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit, duke shkaktuar përhapje të shpejtë në terren.

“Viktima ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij, duke shkaktuar përhapjen e flakëve në terren dhe rrezikun e madh për banorët dhe pronat e zonës.” -thuhet më tej në njoftim.

Ndërkohë, shërbimet e emergjencës dhe sigurisë janë në gatishmëri të plotë në zonë.

“Institucionet e sigurisë dhe emergjencës janë të angazhuara maksimalisht në terren për izolimin e zjarreve dhe garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve.”- theksohet në deklaratë.