Një reagim i fortë dhe i koordinuar nga diaspora shqiptare në SHBA ka ardhur pas vendimit të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, për të mos dekretuar Ligjin për Tatimin mbi Patundshmëritë, i cili prek drejtpërdrejt të ardhurat e Komunës së Tuzit dhe komunave tjera me shumicë shqiptare në vend.
Në një letër të hapur drejtuar institucioneve malazeze, partnerëve ndërkombëtarë dhe opinionit publik, katër organizata shqiptare në SHBA:
-
Malësia e Madhe NY,
-
Malësia e Madhe MI,
-
Malësia Kaliforni,
-
dhe Jehona e Malësisë,
kanë dënuar ashpër vendimin e presidentit Milatoviq, duke e cilësuar si “akt të pastër anti-shqiptar” dhe sabotim të qëllimshëm të zhvillimit lokal shqiptar.
Agron Sylvia Dedivanaj: Kjo është përpjekje për të varfëruar shqiptarët në mënyrë sistematike
Në emër të organizatave, ka reaguar publikisht edhe Agron Sylvia Dedivanaj, i cili shprehet se “po tentohet të goditet Komuna e Tuzit në thelb – në të drejtën për vetëqeverisje dhe zhvillim ekonomik”.
“Mosdekretimi i ligjit është sabotim institucional ndaj shqiptarëve. Ndërkohë që toka jonë shfrytëzohet nga kompani shtetërore si Plantaže, komunave tona u mohohen të ardhurat që u takojnë me ligj,” – tha Dedivanaj.
“Presidenti Milatoviq nuk ka ndalur me kaq. Ai ka nisur një fushatë publike ndaj kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, duke e akuzuar dje për ‘kërcënime’ dhe radikalizëm – një gjuhë e rrezikshme që përpiqet të shtypë kërkesat legjitime për barazi.”
Organizatat nënvizojnë se kjo qasje nuk do të kalojë pa përgjigje, pasi komuniteti shqiptar në SHBA ka lidhje të forta në nivelet më të larta të politikës amerikane.
“Jemi të lidhur me faktorë kyç në Kongresin Amerikan, Senat dhe Departamentin e Shtetit. Kërkojmë rikthimin dhe miratimin e menjëhershëm të ligjit, si dhe hetim të pavarur për këtë bllokim të rrezikshëm”, thuhet në letër.
“Komunat tona nuk janë plaçkë politike. Janë shtëpia jonë. Drejtësia do vijë!”
Përplasje e re mes Presidentit Milatoviq dhe Nik Gjeloshajt
Dje, tensionet u rritën më tej kur Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, akuzoi publikisht Nik Gjeloshajn, kryetarin shqiptar të Komunës së Tuzit, për “kërcënim ndaj institucioneve të shtetit”. Gjeloshaj kishte reaguar më herët me tone të forta ndaj mosdekretimit të ligjit, duke e cilësuar atë një veprim që “çimenton diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve në Mal të Zi”.
Kjo përplasje ka nxitur reagime jo vetëm nga diaspora, por edhe nga faktorë politikë shqiptarë brenda vendit, të cilët paralajmërojnë radikalizim të qëndrimeve nëse Komunës së Tuzit i mohohen kompetencat themelore fiskale.
Çfarë është Ligji për Tatimin mbi Patundshmëritë dhe pse është i rëndësishëm?
Ligji i propozuar synon të rrisë të ardhurat për komunat përmes një sistemi të drejtë tatimi mbi pasuritë e paluajtshme. Për komunat me shumicë shqiptare, si Tuzi, kjo përkthehet në më shumë mundësi për investime në infrastrukturë, arsim dhe shërbime publike.
Megjithatë, Presidenti Milatoviq refuzoi ta dekretojë ligjin, duke pretenduar se ai nuk ishte në përputhje me interesat e përgjithshme të shtetit – një qëndrim që për organizatat shqiptare përfaqëson ndërhyrje direkte në vetëqeverisjen lokale dhe diskriminim etnik të strukturuar.
Diaspora shqiptare në SHBA si faktor presioni
Organizatat shqiptare në SHBA, të udhëhequra nga figura si Agron Sylvia Dedivanaj, kanë shërbyer prej vitesh si zë i fuqishëm diplomatik në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, dhe tani kanë paralajmëruar se do të ngrenë këtë çështje në Washington DC.
“Nuk do të lejojmë që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre,” – përfundon letra.