Letra që botohet më poshtë, e zbuluar rishtazi në fondet arkivore, është një ndër dëshmitë e shumta të fatit të intelektualëve të persekutuar në Shqipërinë komuniste. Gjergj Komnino, i dënuar fillimisht me vdekje pasi kishte guxuar të shkruante një letër për OKB mbi keqtrajtimet në Shqipërinë komuniste, i shkruan nga burgu Kryeministrit Mehmet Shehu disa letra me kërkesën për të shpëtuar dorëshkrimet e tij letrare dhe studimore të krijuara para dhe gjatë burgimit, por që nuk u dihej fati, pasi ishin sekuestruar nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Një letër e shkruar prej tij ka nota sarkazme ndaj regjimit, ndërsa dhimbja për familjen dhe djalin dyvjeçar ishte e madhe.
Letra që po botojmë është shkruar në vitin 1958, ndërkohë vetë Kryeministri Shehu, i cili kishte përherë përplasje me Ministrin e Brendshëm, Kadri Hasbiun, në një prej shkresave komentuese mbi fatin e dorëshkrimeve të Komninos, kërkon që çështja të trajtohet me seriozitet.
“Gjen. Mihallaqit! Mos u tallni. Merreni me seriozitet ç’ka ju kërkohej. A i janë lëshuar dëftesat në rregull të interesuarit që të vërtetohet se ku ndodhen dorëshkrimet e tij. Dua konfirmim zyrtar!”
Letra e Gjergj Komnino për Mehmet Shehun (1958)
Kryetarit të Këshillit të Ministrave të R.P.SH.
I nderuari, Zoti Kryeministër.
Do t’ju lutem të më falni që u humbas disa minuta kohe që mund të nevojitet edhe për punë të tjera që i shërbejnë interesit kolektiv. Kërkesa e ime ka diçka individuale dhe diçka kolektive dhe inkurajohet në radhë të parë nga qëndrimi mëshirëdhënës i pushtetit popullor në disa rasa të rëndësishme të jetës sime.
Gjithënjë e kam parasysh se pushteti më fali jetën dhe për këtë i jam shumë mirënjohës. Ja rasti i parë i mëshirës së tij.
Po edhe kur unë ndenja në paraburgim, duke pritur dënimin ekstrem të nenëve 72, 64, 75, nuk hoqa dorë se vazhduari temën e filluar të një epopeje të luftës nacional-çlirimtare. Të 2000 vargjet e hartuara pa letër gjatë kësaj kohe do t’i kishin humbur po të mos qe që punonjësit e hetuesisë të mos më kishin furnizuar me materialin përkatës. Ja rasti i dytë i gëzimit nga një qëndrim mëshirëdhënës.
Unë duke qënë i sinqertë përpara hetuesisë jo vetëm e ndihmova atë, duke i dhënë materialin me përmbajtje jo të shëndoshë, por gjeta edhe dhimbjen e thellë pse dorëshkrimet si Epopeja e Skënderbeut prej 15.000 vargje, Vendi i im, etj, etj, më kishin ngelur në zyrën ku unë punoja, në seksionin e folklorit të Institutit të Shkencave dhe prandaj, i luta që në emër të ligjit t’i ruanin nga çdo humbje ose shpërdorim eventual.
Hetuesi ja me një herë e mori këtë masë dhe ky qe rasti i tretë që njerëzit e pushtetit, në emër të ligjshmërisë mbrojnë një mund prej disa vjetësh të derdhur për punë pozitive. Po vlerë pozitive kanë edhe dorëshkrimet e mia që ndodhen në shtëpi me titujt me librave që siç mësova janë rekuizuar prej pushtetit, tani së voni, me gjithë që nuk figurojnë në proces-verbalin e lëshuar ditën kur u bë kontrolli dhe qe u paraqit tok me akt akuzën përpara trupit të gjykues. Në mes të librave që kanë një vlerë fare të rëndomtë ndodhen dorëshkrimet të tjera, vjersha erotike ose epike që flasin për ndërtimin e hekurudhës së parë, hidrocentralit Lenin etj, etj. Vlen të përmenden edhe materialet e studimeve të ndryshme, të cilat s’ka pse të mos ruhen se kanë përmbajtje të shëndoshë.
Gjer sa këto materiale do të mbeten në dorë të hetuesisë dhe s’kam as dyshimin më të vogël si për ruajtjen ashtu dhe për mos shpërdorimin e tyre. Po në qoftë se do të kalojnë në sektorë të tjerë aty u do menduar pakëz. Dhe këtë ma dikton eksperienca ime në disa rasa konkrete. Në janar të vitit 1956 i kam dorëzuar “Lidhjes së Shkrimtarëve” një dorëshkrim me nja 500 vargje, ku këndoheshin të mirat e ruajtjes së pages dhe të kolektivizimit të tokave. Mbas dhjetë muajsh “Lidhja” më lajmëroi se fatkeqësisht diku i qe ngatërruar dorëshkrimi. Dhe unë e pranoj se shkrimtarët në përgjithësi janë arkivista jo të aftë.
Unë u lutemi Zotit Kryeministër që dorëshkrimet e mija (duke përjashtuar në këtë rast librat) ose t’ja ktheni familjes sime, nepërmjet të cilës unë mund t’i plotësoj siç duhet dhe po t’i vlejnë shtetit jam gati që t’ia jap edhe me konditë që të botojë, pa emrin e auktorit ose t’i mbajë të bllokuara Sigurimi i Shtetit ose Arkivi i shtetit, duke u shtuar titulli i tyre në procesverbalin e sekuestrimit dhe duke më njoftuar edhe mua se kujt i është besuar ruajtja e tyre.
Unë si prind, mbasi, kam lënë një fëmijë dyvjeçar pa asnjë mbështetje, se dhe gruaja, e cila ndodhet shtatzënë, është burgosur kryesisht për fajin tim, kam dëshirë që t’u lë diçka të miturve dhe në rrethanat që ndodhem si mundësi konkrete kam vetëm të ardhurat e dorëshkrimeve, në qoftëse ato kanë vlerë.
Unë kujtoj, Zoti Kryeministër, se nuk do të çuditi po të thoshja se dhimbja për humbjen e dorëshkrimeve është aq e thellë sa ajo e privacionit të lirisë dhe juve mund ta kuptoni më shumë se çdo person tjetër, mbasi tok me barrën e rëndë që i kryeni popullit si drejtues e keni juve për fatin e mirë timin jini njëkohësisht edhe punonjës i shkrimit dhe e ndjeni vetë se dhimbja më e madhe e njeriut të artit, është kur humbet veprat e veta.
Unë ju lutem Juve, Zoti Kryeministër, që të paktën të ruhet integriteti i këtyre punimeve, pse çdo shpërndarje e tyre do të bënte të pamundur vijimin e mëtejshëm të punës sime, të cilën unë e ndjej si një detyrë përpara pushtetit që, mbasi më fali jetën (dhe në këtë rast ai ka menduar për mirë) në rrethana të volitshme do të jetë më japi mundësinë që unë t’a laj fajin tim, me punë të vlefshme për popullin.
Për mua kjo shpresë është e gjallë dhe konkrete duke gjetur baza reale edhe tek fjala e N. S. Hrushovit që duke folur për Dudinëcv dhe shkrimtare të tjerë të gabuar sovjetik midis të tjerave tha:
“Rendi i ynë sovjetik, Partia komuniste, më se një herë i kanë kthyer në jetë, në veprimtari aktive edhe njerëz, të cilët konsideroheshin të humbur dhe pa shpresë.” (Për një lidhje të ngushtë të letërsisë dhe artit me jetën e popullit; përmbledhje e disa fjalimeve të N. S. Hrushovit – Zëri i Popullit Vj. XIII Nr. 208).
Ju përshëndes me respektin më të madh.
Gjergj Komino
burgu Nr. 5 Tiranë