Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk ka ndërmend të bëjë transparencë mbi lobimin që Continental Strategy po bën në emër të tij dhe Partisë Demokratike në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Ai preferoi të heshtë dhe të mos japë asnjë sqarim mbi arsyet pse kompania amerikane që e shiti në Departamentin e Shtetit si politikan pensionist për t’i hequr statusin “non grata”, dhe brenda pak ditëve korrigjoi qëndrimin duke thënë se është politikan aktiv, por jo në qeveri.
“Unë kam vetëm një përgjigje për të dyja, nuk jam zëdhënës i kompanisë në fjalë. Nuk jam zëdhënës i kompanisë, kompania ka rregullat e saj të funksionimit, drejtohuni asaj. Edhe njëherë, nuk kam asnjë koment për ato çka nuk më takojnë mua. Për ato, shkruaji kompanisë, të të kthejë përgjigje kompania”.
Edhe pse lobimi në DASH nga kompania po bëhet vetëm për “non gratan” e Berishës, siç shkresat e deritanishme kanë treguar, apo edhe që vetë PD ka firmosur përmes Flamur Nokës për marrjen e shërbimit, Berisha thotë se nuk ka dijeni mbi veprimet që “Continental” po bën.
“Për të gjitha këto, drejtoju kompanisë, unë nuk jam zëdhënës i saj”.
Edhe për paratë, që së fundmi rezulton të jetë paguar edhe kësti i radhës prej 240 mijë dollarëve, duke e çuar në 1 milionë dollarë totalin e deritanishëm të dhënë për lobim, refuzon të bëjë transparencë.
“Nuk ka lidhje me mua”.
Sali Berisha foli edhe për Kodin Penal, por këtë herë përmes një gafe, pasi “analizoi” një nen që në draftin as nuk ekziston, martesën me zor, që në fakt është meme që qarkullon në rrjetet sociale por jo në dokumentin e propozuesve.