Ardian Vehbiu/

Konduktori televiziv italian Pippo Baudo vdiq sot, në moshën 89-vjeçare.

E dinim që ishte i madh, por jo gjithnjë e kuptonim pse.

Brezi im e ka ndier dhe trashëguar impaktin kulturor të Pippo Baudo-s, njeriut që bënte të mundur RAI-n, televizionin italian dhe, në analizë të fundit, botën tonë para ekranit të vogël.

I shërbeu si zemberek, koreograf dhe maestro atij baleti mediatik të papërsëritshëm, që ishte RAI në vitet e lavdisë “nazional-popolare” në Itali.

Dhe tek ne përtej detit, në Shqipëri.

Me Pippo-n para kamerës, bota shndërrohej në televizion, dhe televizioni në botë. Italia kish me qindra talente, këngëtarë, artistë, shkrimtarë, aktorë, njerëz të spektaklit, celebritete – por vetëm një Pippo Baudo, i cili ia sillte të gjithë këta publikut, në mënyrë të tillë që vetë të bëhej gati i padukshëm.

Prej tij mbaj mend ca Sanremo, ca Canzonissima dhe programe të tjera në vitet 1960-1970, kur e përfytyroja gati si hyjni të paprekshme, të magjisë televizive.

Nuk u ula kurrë të ndjek, më pas, programet e formatit Domenica in, por më vinte mirë kur e dija që ishte atje. Sanremot e vona, që u kthye t’i prezantonte sërish, nuk mund të ishin veçse suksese. Nga vitet kur kam qenë në Napoli, dhe kur Pippo-ja mbretëronte i pakontestuar në televizion, më kujtohet – çuditërisht – reklama që i bënte kafesë sime të preferuar, “Kimbo”.

Pippo-ja ishte normaliteti. Emri dhe figura e tij tashmë ishin gati të përfshiheshin në kategori abstrakte të spektaklit, të tipit “skena”, “mikrofoni”, “muzika”, “i ftuari” – dhe ia arriti që deri edhe peshën e traditës së vet ta përballonte mirë.

Ishte Democrazia Cristiana, në kuptimin e mirë të fjalës, në televizion: faktor stabiliteti që ia ndien rëndësinë vetëm kur fillon të mungojë.

Televizioni që ai solli në jetën italiane – por jo vetëm, e përsërit, jo vetëm – tashmë nuk ekziston më; edhe pse fragmente të tij, të Pippo-s vetë, qarkullojnë nga studioja në studio, nga një format në tjetrin. Fragmente në kërkim të autorit.

Sillej në studiot e RAI-t si të ishte i zoti i shtëpisë – mikpritës jo vetëm i mysafirëve dhe i të ftuarve, por edhe i programeve vetë. Qasja e tij ndaj publikut në Itali dukej si apolitike, por i përkiste një lloj politike që i përshtatet më mirë televizionit.

Ishte njeriu që gjente talente dhe ia dhuronte publikut; të gjithë lakmonin vëmendjen e tij, sepse ashtu do të siguronin vëmendjen e milionave të ngulur para ekranit.

Dukej sikur u fliste të gjithëve, sepse kish talentin e pabesueshëm për të ndenjur gjithnjë në qendër – atje ku duhet të jetë televizioni.

E kujtoj edhe për diçka tjetër, mbase të papërfillshme: si njeriun që më ndihmoi të hidhja hapat e para në italishte – me të folurit e tij aq të qartë, me zotësinë për ta çliruar deri edhe banalitetin nga përgjegjësia; mbase edhe me aftësinë për t’i bërë të gjithë të ndihen të përfshirë, madje edhe mua…

Ai dhe brezi i tij i drejtuesve televizivë – nga Mike Buongiorno te Corrado-ja, erdhën nga Italia e spektaklit live, për të mbajtur me muhabet kombin mbarë.

Te një ese e mirënjohur e vitit 1961, “La fenomenologia di Mike Buongiorno”, Umberto Eco-ja i pat shpjeguar arsyet e suksesit të jashtëzakonshëm të Mike Buongiorno-s me “mediokritetin absolut” të personazhit, falë të cilit spektatori shihte, “të glorifikuar dhe të pajisjur zyrtarisht me autoritet kombëtar portretin e kufizimeve të veta”.

Për të njëjtin Mike, Eco-ja shkruan: “e respekton opinionin e tjetrit, por jo për arsye ideologjike – thjesht ngaqë nuk ka interes.” Një virtyt ky jo i pakët, për kë që është thirrur të kuvendojë me kombin mbarë, dhe që Pippo-ja e mishëronte gjithashtu.

Ndoshta për këtë arsye, tani që përpiqem ta përfytyroj këtë të fundit, në programet e veta të shumta, dekadë pas dekade, më vjen parasysh një figurë dy-përmasore, një cut-out, që siluetë kartoni; nga ato që kanë vetëm ballë. Por kjo edhe i kërkohet konduktorit televiziv – të jetë i gjerë por jo i thellë; i tillë që, për t’ia treguar botës në mënyrë korrekte, kamerat duhet gjithnjë të orientohen gjeometrikisht saktë.

Te një shënim sot në Corriere della Sera, Aldo Grasso thotë për Baudon: “era il nuovo che avanza, anche stando fermo”, duke sqaruar se e ka fjalën për një formë kurioze të eklektizmit social, të shoqëruar me kapacitetin për të promovuar inovacionin, por njëherazi duke ruajtur dhe shpëtuar traditën.

Në institucionet janë pikërisht figura të tilla që, duke ofruar soliditet dhe pika referimi, mundësojnë ecjen përpara, progresin, pa qenë nevoja që ata vetë të jenë transgresivë.

Tek e fundit, ky ishte roli që iu pat besuar edhe RAI-t, në kohët e Italisë demokristiane.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet marrja e këtij shkrimi pa lejen eksplicite të autorit. Të interesuarit ftohen të kontaktojnë revistën, për të negociuar honorarin. Le të sillemi si njerëz të qytetëruar, sepse ashtu edhe publiku do të na respektojë. Botohet me leje te TemA.