Në Korçë është zbuluar një qenie e rrallë: një protestues. Jo me pankarta. Jo me peticione. Por me një… gur në dorë. I vetëm. Pa shoqëri. Pa sponsor. Pa hashtag. Pa kamera. Natën. Goditi një xham të godinës së bashkisë.
Ky burrë, në moshë madhore, nuk është pjesë e ndonjë grupi rebel, nuk ka bërë thirrje për revolucion, as ka kërcënuar askënd. Thjesht nuk duroi më.
Mediat kombëtare e morën videon e publikuar, nga vetë protestuesi në TikTok, dhe ia përcollën menjëherë per analizë të detajuar institucioneve kompetente.
Zyrtarisht thuhet se protestuesi është ndaluar nga policia, por burime shumë familjare me ngjarjen, thonë se ai është dërguar për ekzaminim mjeksor jashtë vendit.
Ekspertët kanë vënë re sjellje devijante, pasi kanë konstatuar se i riu nuk kishte as selfie, nuk punonte si influencer, nuk ishte paguar dhe më e çuditshmja, nuk ishte anëtar partie.
Shkencëtarët thonë se do të analizojnë trurin e tij për të kuptuar se çfarë e shtyn një njeri normal të reagojë, në vend që të shkruajë një koment anonim në Facebook apo në Instagram?
Analistët e shpjegojnë aktin e të riut si pasojë e temperaturave të larta të ditëve të fundit. Megjithatë zyrtarisht autoritetet nuk kanë sqaruar se çfarë do të bëjnë me këtë protestues, një specie e mbijetuar nga koha kur njerëzit mendonin me mendjen e tyre
Sjellja e protestuesit nuk përcaktohet ende në Kodin e ri Penal, por po shqyrtohet futja e një neni të posaçëm:
Neni 1099/1 – Reagimi pa miratim paraprak.
Dënimi: nga 30 ditë heshtje publike dhe 6 muaj bërje like dhe komente pozitive (Bravo, ju lumtë,) në postimet e ministrave dhe kryeministrit.
Në të njëjtën kohë UNESCO po shqyrtohen mundësine që veprimi i tij të futet në listën e trashëgimisë së rrezikuar shpirtërore!