Administrata Trump, në një vendim të befasishëm, dyfishoi shpërblimin në 50 milionë dollarë për arrestimin e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, duke e akuzuar atë si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë dhe si bashkëpunëtor i karteleve për të ‘përmbytur’ SHBA-në me kokainë të pasuruar me fentanyl.
Por Maduro, në një video që tashmë është bërë virale, sfidon hapur presidentin amerikan, duke i treguar edhe vendin se ku ndodhet.
“Ja ku jam. Frikacak, eja nëse mundesh. Jam këtu në Miraflores, dil përballë meje frikacak.”
Qeveria amerikane bëri të ditur më herët se, nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Maduro nuk do t’i shpëtojë drejtësisë dhe do të mbahet përgjegjës për krimet e tij.
Maduro u padit në Gjykatën Federale të Manhattanit në vitin 2020, gjatë presidencës së parë të Trump, së bashku me disa aleatë të ngushtë, me akuza federale për narkoterrorizëm dhe komplot për trafikun e kokainës.
Në atë kohë, SHBA-të ofruan një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për arrestimin e tij. Kjo shumë u rrit më vonë nga administrata Biden në 25 milionë dollarë – e njëjta shumë që SHBA-të ofruan për kapjen e Osama bin Laden pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë amerikane ka sekuestruar më shumë se 700 milionë dollarë në asete të lidhura me Maduron, përfshirë dy avionë privatë, si dhe gati 7 ton kokainë.