Manchester United ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit Benjamin Sesko nga RB Leipzig. ‘Djajtë e Kuq’ kanë kryer transferimin e tretë për fazën sulmuese këtë verë.

Pas Mattheus Cunha dhe Bryan Mbeuema, United ka transferuar edhe Seskon, me njoftimin që ka ardhur zyrtarisht në kanalet e komunikimit. Transferimi i Seskos ka kushtuar 76.5 milionë euro plus 8.5 milionë euro bonuse.

“Manchester United ka kënaqësinë të konfirmojë se Benjamin Sesko i është bashkuar klubit. Slloveni ka nënshkruar një kontratë deri në qershor të vitit 2030”, thuhet në njoftim.

Vetë slloveni 22-vjeçar është shprehur i lumtur për këtë transferim te një nga klubet më me peshë në Evropë.

“Historia e Manchester United është padyshim shumë e veçantë, por ajo që më emocionon vërtet është e ardhmja. Kur diskutuam për projektin, ishte e qartë se gjithçka është në vend që kjo skuadër të vazhdojë të rritet dhe të garojë përsëri për trofetë më të mëdhenj së shpejti.

Që nga momenti që mbërrita, munda të ndjeja energjinë pozitive dhe mjedisin familjar që klubi ka krijuar. Është padyshim vendi i përsosur për të arritur nivelin tim maksimal dhe për të përmbushur të gjitha ambiciet e mia”, tha Sesko.