Nga Ben Andoni

Shqipëria ishte një nga vendet më të angazhuara për nënshkrimin e Traktatit të Mjedisit në 2015. Asokohe, plot 197 vende e vunë firmën mbi marrëveshjen e Parisit të 2015-ës, dokument i cili vuri si objektiv parandalimin e rritjes së temperaturave mesatare të globit 2 gradë celcius mbi mesataren e periudhës para-industrializimit. SHBA-të u integruan menjëherë dhe fill në presidencën e parë të Trump dhe, u tërhoqën nga Marrëveshja që hyri në fuqi më 4 nëntor 2020, ndërkohë që presidenti Biden e ktheu vendin në marrëveshje më 19 shkurt 2021. Së fundi, Shtetet e Bashkuara e njoftuan zyrtarisht Sekretarin e Përgjithshëm për tërheqjen e saj nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, akt që hyn në fuqi më 27 janar 2026.

Edhe ky dokument është një nga ato që Shqipëria i ka firmosur gati symbyllazi, por pa marrë parasysh se duhej të merrte masa serioze. Në dy dekadat e fundit, komuniteti i mbrojtjes së mjedisit ka apeluar vazhdimisht, duke nisur nga fakte të thjeshta dhe shqetësuese dhe duek i amplifikuar por zotërinjtë e mjedisit tallen. Tallen dhe tallen pafund. Qysh më shumë se një dekadë më parë u paralajmërua për kushtet pse deti po merrte aq tokë; pse zjarret po bëheshin një ngjarje e zakonshme dhe sesi duhet të alarmoheshim për shkretimin e hapësirave pyjore; për tharrjen e burimeve ujore; pse duhet t’i ruanim zonat e mbrojtura; deri te fakte që lidheshin me faunën dhe florën, ku shumë insekte vizitonin vendet veriore tek ne, ndërsa më përpara as nuk mund të kalonin; apo ku në qytete Betoni është një pushtues i frikshëm dhe ku ndërkohë, “qytetet shqiptare – me Tiranën në krye – janë shndërruar në ishuj termikë, ku diferenca e temperaturave mes lagjeve shkon deri në 6°C, për shkak të dendësisë së ndërtimeve dhe mungesës së hapësirave të gjelbra, po sipas një raporti të Bankës Botërore” (Monitor, 2025). Nuk po flasim për minimizimin e hapësirave të gjelbra dhe shuarjen e parqeve apo planeve hapësinore. Korrupsioni në planifikimin urban fillon me krijimin ose ndryshimet e planeve hapësinore. Këto i kemi para syve. Shikoni çfarë i është bërë Parkut të Liqenit Artificial dhe ku do të shkojë makutëria… Dhe, ndaj Shqipërinë e kemi të mbjellë me kulla e kulla që nuk mbarojnë përballë një popullsie që po tkurret dhe po na çon gati në popullsinë e Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore.

Me të gjitha këto, problemi një dhe i vetëm është sesi jemi të mësuar me shkatërrimin dhe tashmë që po na digjet diçka, vazhdojmë të përsërisim të njëjtat gabime për çdo vit. Ku mungojnë reflektimet për infrastrukturën, ku piromanët argëtohen me kafshërinë e tyre, kurse bashkitë vegjetojnë pa kuptim.  Ndërkohë “Monitor” rreshton dhe një sërë faktorësh që duhen pasur parasysh: nga Bankat (rreziqet klimatike për kreditë), bujqësinë (periudhat e ndryshme të kultivimeve dhe pjekjeve, industrisë dhe mbi të gjitha turizmit. Shqipëria nuk duhet të jetë kaq familjare me shkatërrimin, por duhet të mendojë mbijetesën përballë natyrës. Po ku ta dish, mbase e meritojmë shkatërrimin.

P.S. Në kronika u regjistrua se për 4 piromanët e Beratit u la vetëm “detyrim paraqitje”?!

(Javanews)