Fatmir Mediu është shembulli më i shkëlqyer që mund të identifikohet me opozitën e sotme. Ai është identiteti i sotëm i opozitës dhe shpjegimi për çdo problem apo arritje të saj. Në një farë mënyre ai është monumenti i opozitës, ose asaj që duan ta quajnë “opozita e bashkuar”.
Që një opozitë të quhet e bashkuar, duhet të gjendet një objektiv rreth të cilit duhet të bashkohen. Zakonisht në politikë bashkimin e dikton nevoja për të fituar. Në opozitën e sotme në Shqipëri, bashkimin e dikton nevoja për të mos ndryshuar.
Fatmir Mediu është fytyra simbol e mosndryshimit të opozitës në Shqipëri. Prej vitit 2001 ai është në parlament si republikan i Sali Berishës, pa konkuruar asnjëherë më vete, pa fituar asnjëherë si republikan dhe pa bërë asgjë në politikën shqiptare përveç shërbimeve të pista për familjen e Sali Berishës.
Portreti i tij ka shoqëruar shqiptarët prej vitit 1992, kur shfaqet para kamerave me kokën drejt, vështrimin në horizont, me sytë që nuk i lëviz qerpiku, me gjestet që duan të thonë ato që nuk i thonë fjalët dhe me fjalë që i ngjajnë një diareje të pafundme, të pavullnetshme dhe të padëmshme për kënd, edhe nëse preket prej saj.
Është një fytyrë pa tipare, një njeri pa emër, një politikan që s’ka prodhuar kurrë politikë, një makinë folëse pa fjali, një kriminel pa të vrarë, një parazit që bën thirrje vazhdimisht për aksione të reja dhe reforma, një kryetar partie që s’ka shkuar kurrë në luftë me partinë e tij, dhe mbi të gjitha një ilustrues i shkëlqyer i arsyeve përse opozita as ndryshon, as rritet, as krijon fytyrën e saj dhe as fiton dot.
Prej vitit 2008, garancitë e tij për të qëndruar “i bashkuar” me Sali Berishën janë shtuar së tepërmi pasi ai është dëshmitari zyrtar i përfshirjes së djalit të Sali Berishës në Gërdec, pasi është njeriu që e ka pritur për 42 herë në zyrë derisa e licencoi kompaninë dhe autori i tenderit të demontimit për të. Tek ky mekanizëm korruptiv, si dëshmitar i heshtur i një krimi që i mori jetën 26 vetëve, qëndron e gjithë ideja e “bashkimit” të opozitës që kërkon Fatmir Mediu. Ky është më thellë dhe gjithë kuptimi që ka fjalia “opozita e bashkuar rreth Sali Berishës”.
Kjo opozitë është opozita që ka probleme, individë që kanë probleme me ligjin dhe korrupsionin, njerëz që nuk dinë të bëjnë asgjë në jetë veçse t’i mbajnë uturakun Berishës, politikanë të rinj ambiciozë, që shpresojnë se zullumi këputet duke u trashur, dhe në këtë rast “bashkohen” dhe ata me shpresë që kur të këputet filli të jenë aty për të kapur një degë litari, intriganë që shpresojnë që Berisha do vdesë pas ca kohësh dhe ata do mbahen mend si “besnikë” të tij, etj.
Pra, opozita e “bashkuar rreth Berishës”, është opozita që shpreson se bashkimi rreth tij e mbron nga mëkatet dhe pjesa tjetër e opozitës që pret vdekjen e tij.
Kjo amalgamë opozitare, nëse do t’i duhet të zgjedhë njeriun e ri të saj, “Laj Fenin” e vitit 2025, e ka gati. Fatmir Mediu i plotëson të gjitha kriteret. Nuk ka vota, nuk ka ide, nuk ka impakt në opinion publik, nuk ka parti, por mbi të gjitha nuk ka turp.
Dhe ky është një kriter i rëndësishëm për të qenë njeri simbol i “opozitës së bashkuar rreth Berishës”.
Debatet e tjera nuk vlejnë. Kur të vdesë Berisha flasim./TEMA