Agjencia e Mediave për Informim publikoi sot shifrat më të fundit mbi interesimin për nismën qeveritare “Paketa e Maleve”, një program që synon zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave malore përmes mbështetjes së bizneseve vendase.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë regjistruar 3308 aplikime në total, ndërsa vetëm nga qarku i Shkodrës janë paraqitur 687 aplikime, duke e renditur atë si një ndër zonat me interesin më të lartë për këtë skemë.

Nisma u lançua si pjesë e strategjisë për të përkrahur zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të thella dhe ofron lehtësira fiskale për 10 vite për 500 aplikantët e parë që përmbushin kriteret.

Afati për aplikim mbetet i hapur deri në fund të vitit 2025, ndërkohë që autoritetet nxisin qytetarët dhe sipërmarrësit lokalë të përfitojnë nga kjo mundësi unike për zhvillimin e aktivitetit të tyre në zonat malore të vendit.