Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka deklaruar se vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret në territorin e vendit do të realizohet në çdo bashki të prekur, në bazë të një procedure të veçantë të përcaktuar nga ligji dhe aktet nënligjore në fuqi.

Sipas një statusi të shpërndarë nga ministri në rrjetet sociale, procesi fillon me “evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve, i ngritur me urdhër të kryetarit të Bashkisë.”

Ministri Vengu shpjegon se ky grup do të ketë për detyrë të evidentojë dëmet e shkaktuara nga zjarret në banesa, infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike si dhe objekte social-kulturore. “Ky grup realizon inventarizimin e dëmeve… dhe plotëson formularët me kostot financiare”, nënvizon ai.

Pas përfundimit të këtij procesi, “bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës dhe pas vlerësimit financiar çdo bashki përcakton koston e kompensimit”.
Sipas ministrit, kompensimi do të realizohet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile.

Ky reagim vjen në një kohë kur disa zona të vendit janë përfshirë nga zjarre të shumta, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, veçanërisht në sipërfaqe pyjore, banesa dhe aktivitete bujqësore.