Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar gjatë mbledhjes së kabinetit se janë miratuar planet e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) për të mundur Hamasin në Gaza, ku “portat e ferrit do të hapen së shpejti”.
“Së shpejti, portat e ferrit do të hapen mbi kokat e vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit në Gaza – derisa ata të bien dakord me kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës, kryesisht lirimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e tyre”, tha Katz.
“Nëse nuk bien dakord – Gaza, kryeqyteti i Hamasit, do të bëhet Rafah dhe Beit Hanoun. Pikërisht siç premtova – kështu do të jetë”, vijoi ai më tej.
Katz theksoi se sulmet përfshijnë zjarr intensiv kundër armikut, evakuime civile dhe manovra ushtarake.
Sipas raportimeve të fundit, gjatë ditës së sotme janë regjistruar të paktën 30 të vrarë palestinezë, 24 prej të cilëve vetëm në qytetin e Gazës.
Katz paralajmëroi se Gaza, mund të shndërrohet në një “Rafah dhe Beit Hanoun”, nëse Hamas nuk pranon kushtet izraelite për lirimin e të gjithë pengjeve dhe demilitarizimin.
Ndërkohë, një zi buke është konfirmuar zyrtarisht në Qytetin e Gazës dhe lagjet përreth nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC).
Sistemi i mbështetur nga OKB-ja dhe i njohur globalisht për klasifikimin e pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes ka deklaruar vetëm katër raste të tjera urie që nga krijimi i tij në vitin 2004.
Ky njoftim është i pari i IPC-së jashtë Afrikës.
Qyteti i Gazës është shtëpia e rreth gjysmë milioni banorëve.
Zi buke të mëparshme u konfirmuan në Somali në vitin 2011 dhe në Sudan në vitet 2017, 2020 dhe 2024.
Vdekjet nga kequshqyerja dhe uria janë në rritje, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, të verifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ministria bëri të ditur gjithashtu se vetëm në 20 ditët e para të gushtit, pati 133 vdekje të atribuuara kequshqyerjes ose urisë, përfshirë 25 fëmijë.
Në korrik u regjistruan pothuajse 13,000 pranime të reja të fëmijëve për kequshqyerje akute, sipas të dhënave më të fundit nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.