Në një ceremoni të posaçme të Mirënjohjes Publike, Kryeministri Edi Rama falënderoi rreth 10 mijë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit në luftën kundër zjarreve që prekën vendin tonë gjatë kësaj vere.
24 nënkolonelë, rreshterë, ushtarë, policë, zjarrfikës u dekoruan me medalje ari, të argjendë dhe bronxi me motivacione të veçanta për angazhimin e treguar në operacionet e shpëtimit të jetës së qytetarëve.
“Jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përulur me respekt përpara jush dhe të gjithëve atyre që ju këtu përfaqësoni.” – iu drejtua Kryeministri Rama të pranishmëve, në ceremoninë e posaçme të mbajtur me këtë rast, teksa theksoi se “kjo verë e nxehtë bëri bashkë një armatë ushtarakësh, punonjësish në uniformë dhe civilësh me emërues të përbashkët; shërbimin e përkushtuar njerëzor dhe profesional dhe meritën për të gëzuar mirënjohjen e të gjithë publikut.”
Ndër të tjera, Kryeministri Rama vuri theksin dhe te reagimi i drejtësisë ndaj atyre që shkelin haptas ligjet për mosndëshkimin e zjarrvënësve.
“Ne as nuk do të heshtim dhe as nuk do lëmë gurë të shtratit gjyqësor të kësaj republike pa luajtura për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptas shtetin dhe interesin publik në proceset gjyqësore me zjarrvënës, me zaptues apo me gllabërues të të mirave dhe ta pasurive publike të këtij vendi”, u shpreh Kryeministri.
“Ky shtet i sfiduar si asnjë vit më parë nga zjarret nuk u thye, përkundrazi tregoi se mekanizmi i mbrojtjes cilivile nga fshati më i largët te qendra e Tiranës ose anasjelltas mundi dhe diti ti jepte më të mirën edhe pse shumë ka ende për të bërë.” – tha ndër të tjera kryeministri Rama në ceremoninë dedikuar trimërisë dhe guximit njerëzor.
Ndërkohë që një falënderim të veçantë Kryeministri Rama bëri edhe për komunitetin ndërkombëtar që u gjend pranë me mekanizmat mbështetëse.
“Dua të falënderoj të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe të vendeve mike, pasi falë rrjetit të solidaritetit dhe falë integrimit të Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile europiane, ne ja kemi dalë më së miri të evitojmë më të keqen dhe Kroacia, Greqia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Suedia dhe si gjithmonë Italia meritojnë një falënderim të posaçëm, sepse në zinxhirin e mekanizmit, dërguan në vazhdimësi mjete ajrore për fikjen e zjarreve. Një falënderim të veçantë dua ta bëj për emiratet e Bashkuara të cilat na u gjendën me shumë shpejtësi duke dërguar helikopterë dhe avionë” – u shpreh Kryeministri.