Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër pas publikimit të një videoje nga Hamasi, ku shfaqen dy pengje izraelitë të dobësuar dhe të rraskapitur, duke nxitur valë zemërimi dhe shqetësimi në opinionin publik izraelit.

“Kryeministri shprehu trishtim të thellë për pamjet video të publikuara nga organizata terroriste Hamas dhe u tha familjeve se përpjekjet për të kthyer të gjithë pengjet tona vazhdojnë dhe do të vazhdojnë pa pushim,” deklaroi zyra e Netanyahut.

Pamjet u publikuan nga dy organizata islamike dhe synojnë, sipas analistëve, të krijojnë një paralelizëm të zymtë me krizën humanitare në Gaza, ku Kombet e Bashkuara paralajmërojnë për rrezik të “urisë së përgjithshme”.

Një prej skenave më tronditëse të videos tregon një peng që gërmon tokën me lopatë brenda një tuneli, duke simuluar hapjen e varrit të tij – një imazh që ka shkaktuar indinjatë të thellë në Izrael dhe më gjerë.

Netanyahu, sipas zyrës së tij, zhvilloi një bisedë të gjatë me familjet e Rom Braslavsky dhe Eviatar David, dy pengjet që shfaqen në pamjet e fundit. Ai i cilësoi videot si një “prodhim cinik dhe të përçmuar”, duke denoncuar mizorinë e Hamasit që “nuk njeh kufij”.

Në të njëjtën kohë, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Tel Aviv, duke shprehur solidaritet me familjet e pengjeve dhe duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm. Protestuesit bënë thirrje për veprime më të forta nga qeveria dhe presion ndërkombëtar ndaj Hamasit.

Netanyahu shtoi se militantët e Hamasit po përdorin qëllimisht civilët në Gaza si mjete propagande, duke bllokuar ndihmat dhe duke ndërtuar një narrativë të rreme kundër Izraelit.

“Bëj thirrje që vendet e botës të mobilizohen për të dënuar pa mëdyshje abuzimet kriminale naziste të organizatës terroriste Hamas,” përfundoi ai.