Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot projektin më të ri të modernizimit të infrastrukturës ushtarake në vend, duke theksuar se ky transformim prek çdo qelizë të Forcave të Armatosura dhe është në përputhje të plotë me standardet më moderne të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).

Projekti shumëfunksional i Akademisë së Forcave të Armatosura është konceptuar nga studioja me famë botërore “Bofill Taller de Arquitectura”, dhe përfshin një kampus të integruar ku ndërthuren zonat akademike, stërvitore, sportive, logjistike dhe komanduese. Ky vizion bashkëkohor synon të sjellë një frymë të re në edukimin dhe përgatitjen e kuadrove ushtarakë shqiptarë.

“Investimi në kapitalin njerëzor mbetet prioritet i yni. Kjo pasqyrohet qartë edhe në rritjen e ndjeshme të interesit për programet Bachelor të Akademisë, ku për sezonin e ri janë regjistruar 1634 aplikime nga të rinj të vendit,” – deklaroi Rama.