Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi ka “shpallur” publikisht kandidaturën e tij në garën për kreun e kësaj force politike.
Në një intervistë të dhënë për A2 CNN Murrizi ka vënë theksin te riformimi i Partisë Demokratike, duke drejtuar gishtin te të gjithë për humbjen në zgjedhjet e 11 Majit.
Sipas tij, fajtor për këtë humbje nuk ishte vetëm Sali Berisha, për këtë arsye ai ka propozuar mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm me qëllim analizimin e situatës dhe riformatim të strukturave drejtuese.
“Të gjithë drejtuesit politik kanë përgjegjësi, të cilët e kërkuan apo ishin pjesë të pazarit kur Berisha ishte në arrest, dhe kanë marrë rezultat se lista e mbyllur nëse kanë moral duhet të japin dorëheqjen si drejtues politik, madje duhet të konsiderojnë edhe mandatin”, tha Murrizi, duke shtuar se zgjidhja mund të jetë votëbesimi te anëtarësia, duke e kthyer te Statusi i Dhjetorit 1990, i cili sipas tij është më korrekti.
“Unë kam që nga 8 Dhjetori 1990 në PD dhe këto nenet me emra individësh të hartuar në kushte emocionale, kanë futur dhe emrat neni Bardhi, Noka, Gjekmarkaj, Murrizi, këto janë qesharake. Statuti i PD, modeli më i mirë është ai i hartuar në 12 Dhjetor 1990 dhe për mua duhet të kaloj në votëbesim”, shtoi Murrizi, duke shtuar më tej se në rast se hapet gara për kryetar atëhere ai do e konsiderojë këtë mundësi.
“Nëse hapet gara, nëse do të ketë garë për kryetar partie, unë por edhe të tjerë, do ta konsiderojmë marrjen pjesë në gare, pasi nuk është me emërim. Por që nëse Berisha tërhiqet, dhe nuk do të ndikojë në garë, të jetë i bindur që do të jetë një garë e fortë me plotë emra dhe unë nuk mendoj se vuan për emra për kryetar”, theksoi ish-deputeti.