Lajmet e këqija na shoqërojnë kudo në përditshmërinë tonë, ndërkohë sirena ambulancash kumbojnë diku tej, njoftime të papritura për humbje jete, figura publike që ikin para kohe dhe një shoqëri që është e prirur ta përjetojë vdekjen e tjetrit si një spektakël plot kuriozitet dhe kureshtje.

Njëjtë si kjo fundjavë me ndarjen e papritur nga jeta të gazetarit Artur Zheji, pak kohë më parë u përsërit e njëjta situatë dhe të njëjtat reagime shoqëruan largimin e parakohshëm të Gert Bogdanit, por të nesërmen gjithçka u harrua dhe e gjithë shoqëria iu rikthye shkujdesjes së zakonshme. (Madje, nga reagimet duket sikur në këtë vend vdesin vetëm njerëz të njohur).

Pak vite më parë menduam se frikën e tërmeteve e kishim lënë pas, mirëpo, më pas, erdhi pandemia, që na izoloi dhe na bëri të kuptojmë sa të vegjël jemi përballë një kërcënimi të padukshëm. Sot i kemi harruar të gjitha. Harrojmë shpejt, harrojmë dhimbjet, harrojmë frikën, edhe gëzimet dhe lumturinë i harrojmë. Dhe kjo është në natyrshmërinë e qenies njerëzore.

Ky harrim e ka dhe një ‘çmim’. Harrojmë jo vetëm të këqijat, por shpesh edhe mësimet që duhet të na lënë pas. Harrojmë sa të rëndësishëm janë njerëzit që kemi pranë. Ndaj duhet të jemi më të kujdesshëm me ta: të mos u biem në qafë, të mos u hymë në hak. Të dimë të themi ‘më fal’ kur gabojmë, të shprehim dashuri e respekt për ata që duam. Sepse më kot flasim pas vdekjes, kur duhet të vlerësonim e të çmonim sa ishin gjallë.

Në këtë cikël të shkujdesjes e harresës, rol të madh ka edhe media. Ajo ndez emocionet kolektive, i sjell me zë të lartë tragjeditë për një ditë, për një javë, por më pas i lë në harresë bashkë me shoqërinë. Nga njëra anë, media është pasqyra jonë; nga ana tjetër, është edhe katalizatori që na shtyn të harrojmë shpejt, duke kaluar menjëherë te lajmi i radhës.

Njeriu jeton të tashmen, pa e ditur çfarë e pret nesër. Dhe ndoshta ky është një nga sekretet e jetës, sepse padija e së ardhmes na mban gjallë dhe na jep forcë për të ecur, por kjo nuk duhet të na bëjë të jetojmë me shkujdesjen e përditshme, si të mos na vinte kurrë radha.

Koha do të kalojë dhe një ditë nuk do të jemi më. Lajmet do të mbushen me histori të reja, sirenat do të bien për të tjerë dhe lotët do të derdhen për njerëz të tjerë. Ajo që ka rëndësi është gjurma që lëmë dhe ajo do të varet nga sa dashuri, mirësi e respekt kemi shpërndarë në gjallje.

Ndaj, duhet ndalur. Duhet marrë në telefon një mik, duhet thënë një fjalë e mirë, duhet shprehur dashuri prindërve, fëmijëve, të afërmve dhe miqve. Duhet kërkuar falje pa pritur e nesërmja, sepse ajo mund të mos vijë asnjëjerë.

Dhe kur të vijë çasti i fundit, e vetmja fjalë që do të na shoqërojë është ajo e amshuar:

Ne jemi të Zotit dhe, herët a vonë, tek Ai do të kthehemi.