Aktori i njohur Leonardo DiCaprio, shpesh i përfolur për lidhjet romantike me vajza më të reja se ai, ka dhënë një sinjal se diferenca në moshë nuk ka shumë rëndësi për të.

Ylli i Hollivudit ka deklaruar se ndihet ende sikur është në fillim të të tridhjetave. Gjatë një interviste me regjisorin amerikan Paul Thomas Anderson, ky i fundit e pyeti: “Do të përgjigjesh sa më shpejt që mundesh. Nëse nuk do ta dije sa vjeç je, sa do të mendoje se je?”

DiCaprio u përgjigj pa hezitim: “32.”

Anderson, i cili ka realizuar edhe filmin më të ri të DiCaprios, One Battle After Another, që pritet të dalë në Mbretërinë e Bashkuar muajin e ardhshëm, e ftoi aktorin të reflektonte mbi këtë moment të rëndësishëm në jetën e tij, ditëlindjen e 50-të që e festoi nëntorin e kaluar.

“Është një ndjesi që të shtyn të jesh më i ndershëm dhe të mos humbasësh kohën kot. Mund ta imagjinoj vetëm se si do të zhvillohen dekadat e ardhshme. Shikoj nënën time, për shembull, dhe ajo thotë saktësisht çfarë mendon, nuk humbet kohë me gjëra të kota”, tha aktori.

Aktori debutoi në kinematografi në vitin 1991 dhe ka fituar një sërë çmimesh prestigjioze, përfshirë një Oscar dhe një BAFTA për rolin në The Revenant (2015).

Ndërsa fliste për filmat e tij të kaluar, DiCaprio u shpreh: “Rrallë i shikoj filmat e mi, por nëse duhet të jem i sinqertë, ka një që e kam parë më shumë se të tjerët: The Aviator. Ishte një moment shumë i veçantë për mua.”