Nga Mero Baze/

Protesta simbolike e gazetarëve të News 24, kundër marrjes së zyrave nga qeveria për shkak të problemeve të pronarit të kompanisë, ka kuptim si solidaritet me pronarin. Madje, nga një anë, më duket një besnikëri për t’u admiruar ndaj tij. Nuk është e lehtë që gazetarët e një redaksie të madhe të jenë të gjithë solidarë me pronarin në një moment të tillë të vështirë, për shkak të problemeve që ka me qeverinë, qofshin ato financiare apo politike.

Dhe për këtë, ata janë një shembull i pazakontë besnikërie në raportet mes gazetarëve dhe pronarit në Shqipëri.

Por artikulimi i tyre publik ka një problem kur flasin për goditje ndaj lirisë së shtypit. Kjo është një goditje shumë e rëndë për pronarin e kompanisë dhe për të ardhmen financiare të tyre, çka mendoj se e tejkalon rrezikun për lirinë e shtypit. Kjo goditje mund të shërbejë edhe si një arsye që ata, për disa muaj, të mos marrin rroga apo të kenë pasiguri për të ardhmen.

Por e vetmja gjë që unë mendoj se ata e kanë fituar nga kjo goditje është liria e shtypit. Për atë, ata duhet të gëzoheshin. Në një moment të tillë krize personale mes pronarit dhe qeverisë, të dalësh e t’i bësh thirrje qeverisë si gazetarë të rikthejë raportet normale me pronarin e tyre, nuk është kërkesë për rikthimin e lirisë së shtypit, por kërkesë për t’u kthyer nën kontrollin e qeverisë. Raportet e pronarit me qeverinë kanë qenë një histori e “diskriminimit pozitiv” të tij në raport me shumë media të tjera, përjashto grupin Klan.

Ai, pikërisht për shkak të raporteve me pushtetin, është bërë një ndërtues i madh, ka përfituar prona publike që nga Berisha e deri tek Rama. Ndoshta e keni harruar, por blloku i ndërtesës tek rruga “Panorama” afër Hipotekës ka qenë uzinë shtetërore, dhe Sali Berisha ia ka dhënë në vitin 2008 duke e “këmbyer” me një tokë që kishte në Yzberisht, e cila nuk vlente asnjë lek. Privatizimi i pronave publike tek “Qyteti i nxënësve”, ku ka një bllok të madh apartamentesh, po ashtu. Marrja e konviktit të Gjuhëve të Huaja dhe kthimi në universitet privat, gjithashtu. Kontratat tek Autotraktorët po ashtu kanë qenë shumë favorizuese. Pra, historia e tij si biznesmen është histori favorsh nga pushteti.

Kjo mund të ketë prodhuar miliona, por mos më thoni që ka prodhuar liri shtypi. Kriza e tanishme është qartazi një krizë mes pronarit dhe qeverisë, por nga ana tjetër është një moment fatlum nëse gazetarët e tij duan vërtet liri shtypi. Solidariteti i tyre me pronarin është i lavdërueshëm nga pikëpamja njerëzore, por vajtimi se tani po humbasin lirinë e shtypit është kontradiktor. Ata tani po e fitojnë lirinë e shtypit, pasi tani janë të lirë nga hallet e pronarit me pushtetin.

Ata duhet ta festojnë nga kjo pikëpamje fillimin e një ere të re të lirisë së shtypit në kompaninë e tyre.

Presioni i tyre që qeveria të tërhiqet e të bëhet prapë mike me pronarin është fatal për lirinë e shtypit. Pastaj ata nuk kanë më asnjë shpresë. E kam fjalën nëse qajnë vërtet për lirinë e shtypit.