Viti 2003, stadiumi “Old Trafford”. Finalja e parë krejt italiane e Champions League vendosi përballë Milanin dhe Juventusin, një natë që do të mbetet e paharruar jo vetëm për historinë e futbollit, por edhe emocionet njerëzore që e shoqëruan. Paqja e fjalëve, lotët e zhgënjimit dhe madhështia e respektit u mishëruan në dy figura legjendare: Paolo Maldini, kapiteni kuqezi që ngriti trofeun, dhe Gigi Buffon, portieri bardhezi që atë natë provoi dhimbjen më të madhe të karrierës.
Mes supersticioneve, shpresave dhe një dialogu prekës përpara se të niste ndeshja, lindi një histori miqësie dhe morali që shkonte përtej rezultatit. Tri vite më pas, në finalen e Botërorit 2006, fati që i kishte kthyer shpinën në Manchester, e zgjodhi më në fund Buffon. Mesazhi i Maldinit, pas gjithë asaj kohe, tregoi edhe një herë se futbolli nuk është thjesht lojë; por udhëtim i përbashkët mes dhimbjes, respektit e lavdisë. Ja si e përshkruan gjithçka, plot emocion, Buffon në librin e tij autobiografik:
“Ishte finalja e Champions League në vitin 2003. Ndërsa po përgatiteshim për të hyrë në fushë, unë isha shumë afër Paolos, pasi ai ishte kapiteni i skuadrës kuqezi. Në atë moment i thashë: ‘Përshëndetje Paolo, kënaqësi që të njoh… Është një ditë e mrekullueshme dhe tifozët këtu në Manchester janë fantastikë’.
Ai më tha: ‘Përshëndetje Gigi…, gjëja më e bukur është se secili prej nesh përfaqëson një komb të tërë’.
Ndërsa afroheshim pranë trofeut, e shikova dhe i thashë: ‘Preke Paolo…, hajde preke’.
Në Itali ekziston një bestytni e njohur: kush e prek trofeun para ndeshjes, humb finalen.
Ai u përgjigj: ‘Jo…, do ta prek vetëm në fund’.
I thashë: ‘Shpresoj që të më zgjedhë mua’.
Ai më tha: ‘Jo…, do të zgjedhë mua’.
I thashë: ‘Do ta shohësh në duart e mia…’
Por në fund, ajo gjë e mallkuar nuk më zgjodhi kurrë… U ula dhe fillova të qaja. Ishte hera e parë që lotët më rridhnin në fytyrë. Papritur, Alex (Del Piero) erdhi tek unë dhe më tha: ‘Gigi, mos qaj. Je burrë… dhe burrat nuk qajnë’.
Pastaj erdhi Paolo, gëzimi i lexohej qartë në fytyrë. I thashë: ‘Të zgjodhi ty. Dhe e meriton, Paolo. Urime për fitoren, miku im’.
Ai më tha: ‘Gigi, po, më zgjodhi mua…, por edhe ti e meriton. E di mirë çfarë ndjen tani, por ky është futbolli. Ndonjëherë na bën të buzëqeshim, ndonjëherë na bën të qajmë. Sidoqoftë, e ardhmja jote është ende përpara, Gigi. Mos e humb shpresën. Dhe kujto; pas çdo zhgënjimi fshihet diçka e bukur’.
Mblodha forcat dhe shkova në dhomat e zhveshjes. Trishtimi ndihej kudo. Vendosa të isha i fortë dhe të përpiqesha të ngrija moralin e të gjithëve. Pastaj pashë Alex (Del Piero) në fund të dhomës, duke qarë si fëmijë. Thashë me vete: ‘Dreqin… Besoj se vetëm burrat e vërtetë qajnë, sepse nuk kisha parë kurrë një lojtar ta donte Juventusin aq shumë sa ai’.
Tri vite më vonë, fati na çoi në finalen e Botërorit 2006 në Berlin. Shkuam te penalltitë. Në atë moment, më erdhi ndërmend finalja e vitit 2003. Shikova qiellin dhe thashë: ‘Shpresoj që këtë herë fati të zgjedhë mua’.
Atë natë nuk e kontrollova telefonin. Festuam si kampionë bote deri vonë. Kur u ktheva në dhomë, mora telefonin dhe gjeta një mesazh që thoshte: ‘Miku im Gigi, ke bërë të lumtur një komb të tërë. Sot jam shumë i lumtur, edhe për ty. E meriton të jesh kampion bote. Kujto, miku im, pas çdo zhgënjimi fshihet diçka e bukur’. Ai mesazh ishte nga Paolo Maldini”.